Muhammet Kurşun
24 shtator 2019•Përditësim: 24 shtator 2019
Presidenti i Iranit, Hassan Rouhani dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kanë zhvilluar një takim në New York, në kuadër të mbledhjes së 74-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB), transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim nga presidenca iraniane, Rouhani dhe Macron kanë diskutuar për marrëdhëniet bilaterale, zhvillimet e ndjeshme në rajon dhe planin "Iniciativa e Paqes në Hormuz" që Irani ka përgatitur për Gjirin Persik.
Rouhani theksoi përgjegjësitë për mbrojtjen e marrëveshjes ndërkombëtare që kanë vendet e mbetura në marrëveshjen bërthamore pas tërheqjes së SHBA-ve.
Presidenti iranian gjithashtu reagoi ndaj deklaratës së përbashkët të publikuar nga Franca, Britania e Madhe dhe Gjermania, duke i cilësuar si "të pabaza" akuzat lidhur me sulmin ndaj Aramco.
Presidenti francez Macron tha se e mirëpresin planin që Rouhani ka përgatitur për sigurinë e rajonit.
Duke potencuar përpjekjet e bëra nga Franca për zbatimin e marrëveshjes bërthamore, Macron tha se edhe bashkëpunimi i Rusisë dhe Kinës me Evropën është thelbësor.