Eşref Musa,Burak Karacaoğlu
04 Dhjetor 2018•Përditësim: 04 Dhjetor 2018
IDLIB (AA) – Regjimi i Bashar al Asadit në Siri dhe grupet e huaja terroriste të mbështetura nga Irani, përkundër Marrëveshjes së Soçit për ruajtjen e armëpushimit, vazhdojnë sulmet tokësore ndaj vendbanimeve civile në qytetin e Idlibit, raporton Anadolu Agency (AA).
Regjimi i Asadit dhe grupet e huaja terroriste të mbështetura nga Asadi, vazhdojnë të kryejnë sulme artilerike dhe me raketa ndaj vendbanimeve civile të cilat gjenden në kuadër të kufijve të Zonës së Deeskalimit në Idlib, në rajonin e pastruar nga armët e rënda në kuadër të Marrëveshjes së Soçit.
Regjimi sirian dhe përkrahësit e tij mbrëmë në orët e vona të natës kanë kryer sulme artilerike ndaj qarkut Han Shejhun, qytezave Cercenaz, Temaniya dhe fshatrave Hish, Habit dhe Tuh, në juglindje të Idlibit, të cilat janë në armëpushim.
Drejtori i Mbrojtjes Civile në Idlib (Helmetat e Bardha), Mustafa Haxh Yusuf në një deklaratë për AA tha se qyteza Cercenaz dhe fshati Tuh në juglindje të Idlibit janë zbrazur për shkak të sulmeve të pandërprera. Ai bëri të ditur se nuk ka të vdekur apo të plagosur nga sulmet.
- 5.360 familje u detyruan të braktisin shtëpitë e tyre
Sipas shoqërisë civile të quajtur “Koordinatorët e Ndërhyrjes në Veri” të cilët u dalin në ndihmë civilëve në veri të shtetit, gjatë javës së fundit 2.660 familje nga Cercenazi dhe 2.700 nga fshati Tuh, pra gjithsej 5.360 familje kanë emigruar në vendbanime të sigurta në Idlib.
Që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Soçit më 17 shtator e deri më tani, në sulmet e forcave të regjimit në Idlib kanë humbur jetën gjithsej 33 civilë, ndërsa një numër i madh të të tjerëve janë plagosur.
Përderisa sulmet e forcave të regjimit vazhdojnë, opozitarët ushtarakë në përputhje me marrëveshjen e 10 tetorit tërhoqën armët e tyre të rënda nga rajonet e përcaktuara.