Selen Temizer,Halit Süleyman,Levent Tok,Mohamad Misto
28 Nëntor 2016•Përditësim: 29 Nëntor 2016
HALEP (AA) - Teksa ka arritur në 613 numri i civilëve që kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve të ndërmarra në lindje të Halepit nga forcat e regjimit të Bashar al Asadit dhe milicëve shiitë të mbështetur nga Irani në Siri, theksohet se afërsisht 300 mijë civilë janë bllokuar në një hapësirë 30 kilometër katrorë, raporton Anadolu Agency (AA).
Forcat e regjimit dhe milicët shiitë në 13 ditët e fundit po kryejnë sulme intensive nga ajri dhe toka në lagjet nën kontrollin e forcave opozitare në lindje të Halepit.
Përgjegjësi i ekipit të mbrojtjes civile në Halep, İbrahim Ebu Lejs, në një deklaratë për gazetarin e AA-së tha se që nga dita e shtunë e deri tani kanë humbur jetën 105 civilë dhe se numri i të vrarëve nga 508 është rritur në 613.
Sipas informacioneve që gazetari i AA-së ka marrë nga komandantët opozitarë, mësohet se opozitarët në konflikte janë tërhequr nga të gjitha pjesët veriore të rajonit të cilën e kontrollonin deri në orët e drekës. Gjithashtu theksohet se lagjet Sahur, Shejh Faris dhe Shejh Hıdır kanë kaluar nën kontrollin e forcave të regjimit.
Forcat opozitare gjithashtu gjatë konflikteve në fundjavë me forcat e regjimit dhe milicët e organizatës Liva Jerusalem të mbështetur nga Irani u tërhoqën nga të gjitha lagjet Hanano, Xhebel Bedro, Badiin, Ajn el-Tel dhe Ard el-Hamra në lindje të qendrës së qytetit Halep.
Ushtria e Asadit dhe milicët shiitë të mbështetur nga Irani patën marrë nën kontroll edhe lagjet İnzarat dhe Hajdarije.
Ndërkohë, PYD-ja zgjatimi i organizatës terroriste PKK në Siri mori nën kontroll lagjen Basha dhe pjesën jugore të lagjes Hulluk, ku dhe në pjesën tjetër të lagjes Hulluk hynë forcat e regjimit.
Opozitarët të cilët kontrollonin një hapësirë prej 45 kilometër katrorë, me fillimin e sulmeve intensive me 15 nëntor në tre ditë e fundit ata kanë humbur nga kontrolli 15 kilometër katrorë.
Ndërsa theksohet se afërsisht 300 mijë civilë në lindje të qendrës së qytetit janë në situatë të bllokuar në një hapësirë 30 kilometër katrorë.
Ata që migrojnë qëndrojnë në rrugë
Ebu Lejs është shprehur se "Dita e djeshme ka qenë dita më e keqe në historinë e Halepit. Nuk mbeti asnjë lagje pa u bombarduar. Mijëra familje nga lagjet në verilindje të cilat kaluan nën kontrollin e regjimit kanë migruar në rajonet perëndimore të cilat janë nën kontrollin e opozitarëve. Ka patur një migrim masiv nga pjesa Hanano, Xhebel Bedro, Sahur për në Bustan Basha, Hajderije, Badiin. Familjet të cilët u larguan nga shtëpitë e tyre pa marrë asnjë gjë me vehte, qëndrojnë në rrugë".
"Që nga orët e para të mëngjesit të ditës së sotme janë kryer mbi 200 sulme ajrore", ka pohuar Ebu Lejs, duke theksuar se një numër i madh familjesh kanë mbetur nën rrënojat e shkaktuara si pasojë e sulmeve të ndërmarra në lagjet Kellese dhe Selahaddin.
Kriza njerëzore e qindra e mijëra personave
Halepi i cili ndodhet në veri të Sirisë është qyteti i dytë më i madh pas kryeqytetit Damask. Qendra e qytetit ka një largësi prej 40 kilometra nga kufiri i Turqisë. Pjesa perëndimore e qendrës së qytetit ndodhet nën kontrollin e regjimit, ndërsa pjesa lindore nga opozitarët. Në Halepin lindor ku ndodhen nën rrethimin e regjimit afërsisht 300 mijë civilë, sipas të dhënave të Drejtorisë së Shëndetësisë së qytetit Halep theksohet se popullata që prej 95 ditësh ka mungesa të nevojave themelore të njeriut.
Të gjitha spitalet dhe qendrat shëndetësore kanë mbetur jashtë funksionit si pasojë e sulmeve të regjimit të ndërmarra në vetëm dy javët e fundit në lindje të qytetit. Në qytet ndodhen vetëm 3 furra buke që janë në shërbim. Të gjitha shkollat në rajon janë të mbyllura.