Bota

Qeveria e Theresa May i mbijetoi votëbesimit

Mbetjen e qeverisë e mbështetën 325 deputetë, ndërsa 306 votuan për mosbesim

Ahmet Gürhan Kartal  | 16.01.2019 - Përdıtësım : 17.01.2019
Qeveria e Theresa May i mbijetoi votëbesimit

Londër

LONDËR (AA) – Kryeministrja Theresa May dhe Qeveria e saj konservatore kanë marrë një fitore të madhe në Parlamentin e Britanisë së Madhe. Pas dështimit të mbrëmshëm, kur propozimi i saj për marrëveshjen e Brexit u hodh poshtë, sonte deputetët votuan për besimin e Qeverisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Mbetjen e qeverisë e mbështetën 325 deputetë, ndërsa 306 votuan për mosbesim. Pothuajse të gjithë deputetët konservatorë mbështetën Qeverinë e May, edhe pse dje 118 prej tyre votuan kundër marrëveshjes së saj për të dalë nga Bashkimi Evropian.

Partia Sindikale Demokratike (DUP), partner qeveritar dhe partia më e fuqishme në Irlandën Veriore, po ashtu votoi për besim të kryeministres May. Partia Laburiste, Partia Nacionale Skoceze dhe Demokratët Liberalë votuan kundër Qeverisë.

Propozimin për të votuar votëbesim ndaj Qeverisë së kryeministres May dje e dorëzoi lideri i laburistëve Jeremy Corbyn, pas disfatës historike mbi marrëveshjen e Brexit-it në Parlament me 202 ndaj 432 vota. Disfata e votimit të djeshëm është më e rënda që ka përjetuar ndonjë Qeveri në historinë e Britanisë së Madhe.

Debati në prag të votimit të djeshëm për besim solli deri te thirrja për shpalljen e një referendum të ri për Brexit dhe zgjedhje të reja të përgjithshme, por kryeministrja May kategorikisht hodhi poshtë të dy kërkesat.

Pritet që May të hënën të lajmërojë Parlamentin e Britanisë së Madhe për hapat e ardhshëm lidhur me Brexit dhe të zbulojë planin B të saj.

Britania e Madhe do të braktisë Bashkimin Evropian më 29 mars të këtij viti.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın