Şenhan Bolelli
04 Tetor 2022•Përditësim: 05 Tetor 2022
Qeveria e koalicionit të majtë në Spanjë miratoi buxhetin më të lartë ndonjëherë, me 198 miliardë e 211 milionë euro për vitin 2023, duke e dërguar atë në parlament për diskutim dhe miratimin e shtëpisë ligjvënëse, raporton Anadolu Agency (AA).
Qeveria e Spanjës, e cila parashikon rritje me 1,1 për qind në buxhetin e vitit 2023 krahasuar me një vit më parë me vendimin e miratuar nga Këshilli i Ministrave, do të rrisë pagat e nëpunësve civilë me 3,5 për qind.
Në buxhetin e ri, në plan të parë dalin rritja e të ardhurave minimale të jetesës për familjet e varfra me normën e inflacionit që kishte filluar me pandeminë COVID-19, 100 euro ndihma mujore për familjet me fëmijë 0-3 vjeç, rritja e pensioneve, rritja e pensionit të papunësisë, si dhe u vendosën taksa shtesë të përkohshme për të pasurit, të cilat ishin paralajmëruar më parë.
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, në rrjetet sociale deklaroi: "Është arritur një marrëveshje e re mes partnerëve të koalicionit për ta bërë vendin më të mirë".
"Kemi miratuar buxhetin e shtetit për tre vjet radhazi për të mbrojtur shtresën e mesme dhe punëtorët, për të promovuar drejtësinë sociale dhe për të garantuar prosperitetin ekonomik të Spanjës", tha Sanchez.
Edhe pse qeveria e rriti parashikimin e saj të rritjes ekonomike në 4,4 për qind këtë vit, ajo uli pritjet e saj për vitin 2023 në 2,1 për qind.
Nga ana tjetër, kreu i opozitës kryesore, Partisë Popullore, Alberto Nunez Feijoo, pretendoi se buxheti i ri, të cilin ai e interpretoi si "antisocial", sjell "presion të padrejtë dhe më të keq taksash dhe inflacion" për klasën e mesme dhe njerëzit me të ardhura të ulëta.
Partia e ekstremit të djathtë Vox kritikoi buxhetin e qeverisë në një kohë kur Spanja po përjeton një nga krizat ekonomike më të mëdha në historinë e saj.
Debati në parlament për buxhetin e vitit 2023 në Spanjë parashikohet të fillojë nga mesi i tetorit.