Enes Canlı
10 Gusht 2020•Përditësim: 11 Gusht 2020
Presidenti libanez Michel Aoun sot pranoi dorëheqjen e qeverisë dhe caktoi kryeministrin në largim Hassan Diab si një kryeministër të përkohshëm, raporton Anadolu Agency (AA).
Ky veprim erdhi pas zemërimit publik nga shpërthimi shkatërrues i javës së kaluar në kryeqytetin Bejrut.
Drejtori i Përgjithshëm i Presidencës së Libanit, Antoine Choucair, në një konferencë për media tha se Aoun falënderoi Diab dhe ministrat dhe "u kërkoi atyre që të vazhdojnë të kryejnë detyrat deri sa të formohet qeveria e re".
Më herët gjatë ditës, ministri i Shëndetësisë i Libanit, Hamad Hassan u tha përfaqësuesve të mediave se të gjithë anëtarët e Kabinetit Libanit dorëzuan dorëheqje te kryeministri, ndërsa më pas ai ia dërgoi presidentit.
Gjithashtu më herët gjatë ditës, ministrja e Drejtësisë Marie-Claude Najm dhe ministri i Financave Ghazi Wazni dhanë dorëheqje. Ndërkohë, ministri i Informacionit Manal Abdel-Samad dhe ministri i Mjedisit Damianos Kattar dhanë dorëheqje gjatë ditës së djeshme.
Gjashtë deputetë gjithashtu kanë dhënë dorëheqje nga parlamenti 128-anëtarësh pas protestave për shpërthimin shkatërrues që vrau të paktën 163 njerëz dhe plagosi rreth 6.000 të tjerë. Rreth 300.000 njerëz kanë mbetur të pastrehë.
Ministri i Komunikimeve, Talal Hawat, dhe ministrja e Personave të Shpërngulur, Ghada Chreim, thanë gjatë takimit se dorëheqja e qeverisë është bërë "e pashmangshme".
Të martën e kaluar, një shpërthim tronditi Portin e Bejrutit pasi morën flakë rezerva të lëna pas dore me 2.750 tonë nitrat amoniumi të ruajtur në një depo.
Nitrati i amoniumit është një substancë kimike që shpesh përdoret për të bërë bomba dhe zakonisht përdoret në pleh. Terrorizmi është përjashtuar si shkak i mundshëm i shpërthimeve.
Shpërthimet tronditën Bejrutin, duke shkatërruar ndërtesa që ndodhen kilometra larg shpërthimit, ndodhën në kohën kur Libani tashmë ishte kapluar nga një krizë financiare, si dhe nga pandemia e koronavirusit.
Protestuesit antiqeveritar kanë dalë në rrugë për dy netët e fundit, duke sulmuar ndërtesat zyrtare dhe duke u përplasur me policinë.