Emre Gürkan Abay
04 Shkurt 2018•Përditësim: 05 Shkurt 2018
MOSKË (AA) - Parku “Husky“ në afërsi të qendrës së Moskës, gjithnjë e më shumë po shndërrohet në një atraksion turistik, nga shkaku se vizitorët e tij mund të mësojnë shumë për jetën në Siberinë e largët, përfshirë këtu edhe për qentë siberian.
Nomadët nga veriu i Siberisë, u rrëfejnë vizitorëve traditat dhe mënyrën e jetesës në Siberinë e ftohtë, ndërsa një gëzim të jashtëzakonshëm për fëmijët paraqet mundësia e rrëshqitjes në sliten të cilën e tërheqin qentë siberian.
Ritualet fetare, tendat, teknikat e veçanta të peshkimit dhe gjahut, janë pjesë përbërëse të traditës siberiane të cilën turistët në parkun e Moskës mund ta njohin nga afër, pa shkuar në udhëtimin e shtrenjtë në rajonin e largët lindor.
Kujdestarja e parkut në fjalë, Elena Kuzmina, tha për Anadolu Agency (AA) se qentë siberian bëjnë pjesë në llojin e qenëve punëtorë të cilët e duan njeriun, gjë e cila mund të vërehet sidomos nga më të vegjlit.
“Qentë i ushqejmë me produkte shumë ushqyese në të cilat ka shumë peshk. Ata janë imun nga i ftohti ekstrem, por mund të adaptohen edhe në kushte më të ngrohta moti”, tha Kuzmina.
Olit Tevlyanaut u prezanton vizitorëve traditat e popullit siberian, ndërkohë që për AA, tha se të gjithë vizitorët mbeten të mahnitur nga kultura, por edhe nga kushtet e rënda në të cilat jeton ai popull.
Njëra prej vizitorëve që pati mundësi të mësojë nga afër për jetën në Siberi, Kara Rusalieva, tha se moment i veçantë ka qenë njohja me qentë e Siberisë.
“Kjo më intrigoi akoma më shumë të vizitoj Siberinë një ditë, por ajo që druaj, janë kushtet ekstreme të motit. Ky është një rast i jashtëzakonshëm të mësojmë diçka mbi kulturën e atij rajoni”, tha Rusalieva.