Ekip
27 Maj 2017•Përditësim: 28 Maj 2017
TAORMINA (AA) – Samiti i liderëve të shtatë vendeve më të zhvilluara industriale përfundoi pa unitet rreth marrëveshjes klimatike, sepse administrata e Donald Trump planifikon të fitojë më shumë kohë për të vendosur nëse SHBA-të mbeten me marrëveshjen e klimës të arritur në Paris, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjashtë fuqitë tjera nga G7 ranë dakord të veprojnë në përputhje me angazhimin e mëparshëm për zbatimin e marrëveshjes së Parisit e cila parashikon frenimin e gazeve serrë në luftën kundër ndryshimeve klimatike. Deklarata përfundimtare pas Samitit të G7-ës shprehu mirëkuptim për procesin e shqyrtimit nga SHBA-të.
Krerët e G7-ës gjithashtu kanë arritur një marrëveshje kompromisi për të pranuar qëndrimin e Trump për tregtinë. Ata kanë mbajtur ndalimin e proteksionizmit nga deklaratat e mëparshme të G7-ës, por në deklaratën e së shtunës është shtuar se do të "qëndrojmë të palëkundur ndaj çdo forme të tregtisë së paligjshme".
Klima dhe tregtia ishin temat më vendimtare dhe më të ndishme të samitit dy-ditor në Taormina të Sicilisë. Megjithatë, udhëheqësit kanë gjetur marrëveshje për çështje të tjera, si mbështetje për bashkëpunim më të ngushtë në luftën kundër terrorizmit, sidomos pas sulmit të së hënës në fund të koncertit në Mançester, në të cilin jetën humbën jetën 22 persona.
Samiti G7 është një forum konsultativ i shtatë vendeve industriale më të fuqishme në botë: SHBA-së, Japonisë, Kanadasë, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Italisë dhe Francës.