HANGZHOU (AA) – Kina po i përfundon përgatitjet e fundit për Samitin e Liderëve të G20-ës, i cili do të mbahet në qytetin Hangzhou më 4-5 shtator, raporton Anadolu Agency (AA).
Punimet e fundit për organizimin e Samitit janë kontrolluar, ndërkohë që masat e sigurisë janë ngritur në nivelin më të lartë.
Për mysafirët e huaj, krahas aeroportit të Hangzhous, stacionave të trenit dhe qendrave të akomodimit, pika të veçanta të kontrollit janë krijuar edhe në hapësirën ku do të mbahet samiti.
Shumica e banorëve të Hangzhous javë më parë kanë shkuar në zona të tjera në kuadër të “turnesë së pushimit” për shkak të samitit, ndërkohë që po ashtu edhe të huajt që ndjekin mësime dhe punojnë në qytet janë larguar përkohësisht nga rajoni. Rrjedhimisht, shihet se rrugët e qytetit me popullsi prej nëntë milionë banorësh janë zbrazur.
Gjithashtu janë ndërprerë edhe shërbimet postare dhe të kargos nga qytetet tjera për në Hangzhou, si dhe shërbimet e shpërndarjes së ushqimit me porosi nga restorantet. Në kuadër të masave të sigurisë, po ashtu nuk mund të blihet biletë aeroplani përmes internetit për në Hangzhou nga shtetet e jashtme.
Në ndërkohë, sipas lajmeve që u publikuan në shtypin kinez javën e kaluar, ishte ndaluar që shtetasve të Afganistanit, Pakistanit, Turqisë, Sirisë dhe Irakut t’u jepen dhoma në qendrat e akomodimit në Hangzhou që janë nën pesë yje, mirëpo në lidhje me ndalesën në fjalë nuk kishte asnjë deklaratë të hapur nga autoritetet zyrtare. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Lu Kang deklaroi se nuk kishte informacione në lidhje me këtë çështje.
Nga ana tjetër, zyrtarët e hoteleve në rajon pohuan se kanë marrë udhëzim nga njësitet e sigurisë që t’i refuzojnë kërkesat për rezervim të klientëve nga shtetet e lartpërmendura.
Në Samitin e Liderëve të G20-ës temat e së cilës sipas Kinës do të jetë ndërtimi i një ekonomie botërore inovatore, të gjallëruar, të bashkuar dhe gjithëpërfshirëse, do të marrin pjesë Presidenti i Argjentinës Mauricio Macri, Presidenti i Francës François Hollande, Presidenti i Indonezisë Joko Widodo, Presidenti i Koresë së Jugut Park Geun-hye, Presidenti i Meksikës Enrique Pena Nieto, Presidenti i Rusisë Vladimir Putin, Presidenti i Afrikës Jugore Jacop Zuma, Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan, Presidenti i SHBA-ve Barack Obama, Kryeministri i Australisë Malcolm Turnbull, Kryeministri i Kanadasë Justin Trudeau, Kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel, Kryeministri i Indisë Narendra Modi, Kryeministri i Italisë Matteo Renzi, Kryeministri i Japonisë Shinzo Abe, Kryeministrja e Britanisë Theresa May, Kryetari i Këshillit Evropian Donald Tusk, Kryetari i Komisionit Evropian Jean Claude Juncker dhe Princi i Dytë Trashëgimtar i Arabisë Saudite dhe Ministri i Mbrojtjes Muhamed bin Selman.
Për shkak të largimit nga detyra të Dilma Rousseff, në cilësi të liderit të Brazilit do të marrë pjesë Michel Temer i cili mori detyrën e saj.
Ndërkaq Presidenti i Kazakistanit Nursultan Nazarbayev, Presidenti i Egjiptit Abdulfettah es-Sisi, Presidenti i Laosit Bounnhang Vorachitch, Presidenti i Senegalit Macky Sall, Kryeministri i Tajlandës Prayut Çan-oça, Kryeministri i Spanjës Mariano Rajoy dhe Kryeministri i Singaporit Lee Hsien Long do të marrin pjesë në mesin e mysafirëve të ftuar.
Në samit do të jenë të pranishëm edhe Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) Ban Ki-Mun, Kryetarja e Fondit Monetar Ndërkombëtar (IMF) Christine Lagarde, Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Tregtisë Roberto Azevedo, Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Ndërkombëtare të Punës Guy Ryder, Kryetari i Bordit të Stabilitetit Financiar (FSB) Mark Carney dhe Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) Angel Gurria.
- Kina pret që G20 të jetë samiti më produktiv në histori -
Pekini zyrtar e ka cilësuar Samitin e G20-ës si “hap historik për shtetin”, duke theksuar se “do të marrë përsipër rol të rëndësishëm në shndërrimin e G20-ës përmes mekanizmave permanentë për zgjidhjen e problemeve globale".
Kina, e cila ka tërhequr vëmendjen drejt problemeve ekonomike globale dhe fushave zhvillimore, gjatë samitit do të krijojë presion drejt reformave konstruktive dhe strategjive për zhvillim në korniza të rritjes afatmesme dhe afatgjate.
Duke nënvizuar se shtetet në zhvillim kanë përgjegjësi që me anë të interesave t’i mbrojnë popujt e tyre, Kina shpreson që Samiti G20 të jetë më i rëndësishmi në histori dhe të prodhojë rezultate të rëndësishme.
Kina i radhit pritjet e synuara në këtë mënyrë:
- Përmirësimi i planit të detajuar për zhvillim të bazuar në inovacion
- Adaptimi i planit operativ për zbatimin e Axhendës 2030 për zhvillim të qëndrueshëm
- Krahas sistemit udhërrëfyes për reforma konstruktive, përmirësimi i udhërrëfyesit dhe përcaktimi i fushave prioritare
- Adaptimi i një strategjie gloale për rritje në tregti
- Planifikimi i parimeve udhërrëfyese për politikat globale të investimeve
- Thellimi i reformës së arkitekturës financiare ndërkombëtare
- Formësimi i planit operativ për sipërmarrësi
- Fillimi i bashkëpunimit për mbështetjen e industrializimit të vendeve më pak të zhvilluara dhe Afrikës
- Këmbëngulja në zbatimin e hershëm të Marrëveshjes së Parisit në lidhje me ndryshimet klimatike
- Fillimi i bashkëpunimit kundër korrupsionit
- Hangzhou –
Hanzhou është kryeqyteti i provincës Zhejiang të Kinës dhe krahas që është njëra nga qendrat turistike të vendit, qyteti po ashtu kryeqyteti i provincës më të pasur të vendit nga aspekti i shkallës së mirëqenies.
Qyteti po ashtu është qendër atraktive me natyrën e saj, tempujt dhe parqet, ndërsa për shkak të prodhimi të mëndafshit, ai po ashtu emërohet edhe si “Qyteti i Mëndafshit”. Në mesin e kinezëve, qyteti cilësohet si “parajsa në tokë”.
Dihet se Hangzhou kishte pozitë të rëndësishme edhe gjatë periudhë së perandorive kineze.