Rauf Maltaş
02 Shkurt 2018•Përditësim: 02 Shkurt 2018
KILIS (AA) - Organizata terroriste PYD/PKK në rajonin veriperëndimor sirian të Afrinit ka ndërmarrë dy sulme me raketa në qytetin turk Kilis, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas informacioneve të para, sulmi ka ndodhur rreth orës 10:50 sipas kohës lokale. Njëra nga raketat ka goditur një rrugë në qytet, kurse tjetra ka rënë në një sipërfaqe të zbrazët në afërsi të Spitalit Shtetëror të Kilisit.
Nga sulmet nuk ka të vdekur, ndërkohë që ekipet e policisë kanë siguruar zonën dhe kanë nisur hetime.
Ndërkohë, njësitet artilerike kufitare të Turqisë kanë shtënë në drejtim të objektivave terroriste në Afrin.
Më 20 janar, Forcat e Armatosura Turke filluan operacionin "Dega e Ullirit" që synon neutralizimin e terroristëve të PYD/PKK dhe DEASH-it në rajonin kufitar sirian të Afrinit. Që atëherë, terroristët nga rajoni sirian vazhdojnë sulmet ndaj civilëve në rajonet kufitare turke të Kilis dhe Hatay.
Nga këto sulme janë vrarë gjithsej pesë civilë, përfshirë dy refugjatë nga Siria dhe të paktën 73 persona janë plagosur, përfshirë disa fëmijë.