Havva Kara Aydın
14 Janar 2020•Përditësim: 14 Janar 2020
Presidenti rus, Vladimir Putin dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, kanë realizuar një bisedë telefonike ku kanë diskutuar mbi zhvillimet e fundit të krizës libiane dhe përgatitjet për konferencën e ardhshme në Berlin për zgjidhjen e krizës në këtë vend, transmeton Anadolu Agency (AA).
"U diskutua procesi i përgatitjes për konferencën ndërkombëtare mbi zgjidhjen libiane në Berlin", tha Kremlini në një deklaratë.
Sipas deklaratës, presidenti Putin po ashtu informoi kancelaren Merkel për bisedimet mbi Libinë në Moskë, ku morën pjesë përfaqësues të të dy palëve në konflikt.
Dje më herët, një zëdhënës i qeverisë gjermane njoftoi se më 19 janar Berlini do të organizojë një konferencë ndërkombëtare të paqes për krizën libiane.
Palët ndërluftuese në konfliktin libian të shtunën pranuan një thirrje të përbashkët nga presidenti Putin dhe ai turk, Recep Tayyip Erdoğan, për një armëpushim. Armëpushimi hyri në fuqi në mesnatë dhe vendimi u festua me fishekzjarre në Tripoli.
Kreu i qeverisë së Libisë në Tripoli, e njohur nga Kombet e Bashkuara (OKB) dhe komandanti ushtarak Khalifa Haftar dje arritën në Moskë për bisedime mbi kushtet e marrëveshjes së armëpushimit.
Në muajin prill, Haftar nisi një ofensivë për të pushtuar Tripolin nga qeveria e njohur nga OKB-ja.
Sipas OKB-së, që nga fillimi i operacionit mbi 1 mijë perona janë vrarë dhe mbi 5 mijë të tjerë janë plagosur.
Që nga rrëzimi i liderit Muammar Gaddafi në vitin 2011, në Libi u shfaqën dy qeveri rivale, njëra në Libinë lindore e mbështetur kryesisht nga Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe dhe tjetra në Tripoli, e cila gëzon njohjen e OKB-së dhe atë ndërkombëtare.