Aşkın Kıyağan
28 Nëntor 2022•Përditësim: 29 Nëntor 2022
Rreth 50 mijë punonjës të hekurudhave në Austri shkuan në një "grevë paralajmëruese" njëditore në të gjithë vendin me arsyetimin se nuk arritën të marrin rritje pagash në nivelin që dëshironin sipas marrëveshjes kolektive, raporton Anadolu Agency (AA).
Përderisa vazhdojnë bisedimet për marrëveshje kolektive me synimin e rregullimit të pagave në shumë sektorë në vend për shkak të rritjes së kostos së jetës të shkaktuar nga lufta Rusi-Ukrainë, punonjësit e hekurudhave dhe punëdhënësit dje nuk arritën marrëveshje, gjë që shkaktoi grevë njëditore.
Në kuadër të grevës që filloi mbrëmë, trafiku kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar i trenave është pezulluar për një ditë në mbarë Austrinë.

Greva në stacionet e trenit Qendror dhe Westbahnhof në kryeqytetin Vjenë u ndie seriozisht, ndërsa nga kjo veçanërisht pësuan të huajt që kanë ardhur në vend.
Sindikata VIDA që i përfaqëson punonjësit kërkon një rritje prej 400 eurosh në muaj për pagat e punonjësve, kurse Dhoma e Tregtisë e Austrisë që merr pjesë në bisedime në emër të punëdhënësve e konsideron të lartë këtë rritje, duke mos lëshuar pe nga propozimi i rritjes prej 200 eurosh dhe bonusi i njëhershëm prej 1.000 eurosh.
Përfaqësuesit e Sindikatës VIDA njoftuan se propozimi i punëdhënësve përballë inflacionit që arrin deri në 11 për qind në vend është i pamjaftueshëm, prandaj kanë shkuar në grevë.

Përfaqësuesit e Dhomës së Tregtisë, nga ana tjetër, theksuan se sindikata ka bërë një kërkesë joreale, se do të ishte e kuptueshme nëse greva do të kufizohej në disa orë, por se 24 orë është një kohë shumë e gjatë dhe për këtë arsye veprimin e përshkruan si "të papërgjegjshëm".

Ndërkohë, pritet që edhe sektorë të ndryshëm në vend të marrin vendime për grevë.