Gökhan Kurtaran
06 Korrik 2017•Përditësim: 07 Korrik 2017
LONDËR (AA) - Punonjësit e kompanisë ajrore britanike "British Airways" (BA) kanë marrë vendim për të filluar grevën 14 ditore, duke filluar nga 19 korriku, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas një deklarate të sindikatës britanike, Unite, punonjësit e kompanisë do të fillojnë grevën në shenjë proteste kundër pagave të ulëta.
Ndërkaq, "British Airways" përmes një deklarate e ka cilësuar vendimin e sindikatës për grevën si të papërshtatshëm.
"Duket e pazakontë që një sindikatë të kërkojë nga punonjësit e saj të heqin dorë tërësisht nga pagat dhe të ardhurat e tyre në tërë muajin korrik, duke i targetuar pushimet e njerëzve që punojnë", thuhet nga "British Airways".
Në deklaratë thuhet se kompania gjatë grevave i ka vazhduar sipas planifikimit 99.5 përqind të fluturimeve, duke shtuar se edhe gjatë grevës së planifikuar nga 19 korriku do të punojnë që të mos ndikohet asnjë klient.
Ndërkaq, Oliver Richardson nga Unite është shprehur se vendimi për të shkuar në grevë "është tregues i vendosmërisë në kërkimin e pagave më të mira për anëtarët tanë".
Sindikata e punonjësve Unite pohon se punonjësit e kompanisë që shërbejnë në fluturimet e gjata dhe të shkurtra (mixed-fleet) fitojnë mesatarisht 16 mijë stërlina në vit.
Nga ana tjetër, nga "British Airways" theksojnë se punonjësit e ekuipazhit fitojnë mesatarisht 21 mijë stërlina në vit.