Ahmet Dursun
10 Maj 2019•Përditësim: 11 Maj 2019
Irani, i cili po përjeton një rënie serioze në eksportet e naftës për shkak të sanksioneve të SHBA-ve, pretendohet se ka rifilluar eksportet e tij të naftës në Siri, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas lajmit të televizionit amerikan CNBC të cilin e bazon mbi të dhënat e kompanive monitoruese të tankerëve, Irani në javën e parë të muajit maj ka kryer një dërgesë prej rreth 1 milionë fuçi naftë bruto në portin Banias në veriperëndim të Sirisë.
Në lajm bëhet e ditur se kjo dërgesë mund të jetë e para që Irani kryen në Siri që nga viti i ri e deri tani dhe se tankerët e naftës që i përkasin Iranit kanë transportuar naftën në Siri duke mbajtur të mbyllur sistemet GPS për të mbetur të fshehtë.
Sipas kompanive të monitorimit të tankerëve, Irani dërgonte në Siri nga 1 deri në 3 milionë fuçi naftë në muaj, por për shkak të sanksioneve të SHBA-së dërgesat u ndalën pothuajse plotësisht në fund të vitit 2018.
Administrata amerikane në maj të vitit 2018 u tërhoq në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja bërthamore dhe vendosi në zbatim sanksionet kundër Teheranit.
SHBA, e cila ka për qëllim ndalimin e eksporteve të naftës së Iranit, që nga 2 maji ka hequr masat e përjashtuese ndaj vendeve në lidhje me sanksionet kundër Iranit. Pas kësaj date, SHBA-të po kërcënojnë me sanksione të njëanshme vendet, përfshirë edhe aleatët e saj që blejnë naftë nga Irani.