Riyaz ul Khaliq
20 Dhjetor 2019•Përditësim: 20 Dhjetor 2019
Presidenti i Iranit Hassan Rouhani sot mbërriti në Tokjo për të takuar kryeministrin japonez Shinzo Abe, transmeton Anadolu Agency (AA)
Është hera e parë në 19 vitet e fundit që një president iranian viziton Japoninë. Ish-presidenti Mohammad Khatami vizitoi për herë të fundit Japoninë në tetor të vitit 2000.
Agjencia japoneze e lajmeve Kyodo raportoi se të dy palët do të diskutojnë tensionet në Lindjen e Mesme, projektin bërthamor të Iranit, sanksionet amerikane ndaj Iranit dhe planet e Tokjos për të dërguar forcat e saj në ruajtjen e ngushticës së Hormuzit.
Kryeministri japonez "pritet të shprehë shqetësimin" për hapat iraniane që nga maji për të "minuar" marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 midis Teheranit dhe fuqive të tjera botërore, thuhet në raportet mediale.
Takimi vjen pas tensioneve të shkaktuara nga sulmet që ndodhën në objektet e naftës dhe cisternat, përfshirë anijen e operuar nga një firmë japoneze pranë ngushticës së Hormuzit në qershor.
Importet e naftës së papërpunuar të Japonisë nga Lindja e Mesme përbëjnë 90 për qind të totalit të saj.
Shefi i kabinetit japonez, Yoshihide Suga, tha se "Nuk ka dyshim se kalimi i sigurt i anijeve është i rëndësishëm për Japoninë".
"Nuk do të kursejmë asnjë përpjekje për të shpjeguar planin tonë (për të dërguar Forcat e Vetëmbrojtjes) gjatë samitit Japoni-Iran", tha zëdhënësi i lartë i qeverisë në një konferencë shtypi para ardhjes së Rouhanit.