Gamze Türkoğlu Oğuz
18 Shtator 2018•Përditësim: 18 Shtator 2018
SEUL (AA) – Presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in arriti në Phenian në samitin e tretë me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong-un, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç raporton agjencia e lajmeve Yonhap, lideri verikorean ka pritur presidentin Moon në Aeroportin Ndërkombëtar Sunan në Phenian.
Të dy liderët u përqafuan në aeroport, ndërkaq kaluan në Paekhwawon, shtëpinë shtetërore për mysafirë, duke e përshëndetur turmën në rrugët e kryeqytetit nga automjetet e tyre.
Në vizitën e tij në Korenë e Veriut, Moon shoqërohet nga bashkëshortja e tij Kim Jung-sook dhe rreth 110 zyrtarë të Koresë së Jugut. Të dielën, një ekip prej më shumë se 90 zyrtarësh të Koresë së Jugut arritën në Phenian.
Lideri i Koresë së Veriut, deklaroi se samiti i tij në qershor me presidentin amerikan, Donald Trump, ka stabilizuar situatën rajonale të sigurisë.
Kim këtë e ka thënë në takimin e sotëm me Moon Jae-in, presidentin e Koresë së Jugut. Bëhet e ditur se ai ka falënderuar Moon për ndërmjetësimin e organizimit të samitit me Trumpin në Singapor.
Liderët e dy Koreve sot në Phenian filluan bisedimet për çarmatosjen bërthamore të Gadishullit Korean dhe çështjet tjera, siç janë ulja e tensioneve ushtarake mes dy vendeve dhe avancimi i marrëdhënieve.
Bisedimet do të vazhdojnë të mërkurën, ndërsa pritet që Moon të kthehet në Seul të enjten.