Presidenti Erdoğan zhvillon bisedë telefonike me kancelarin gjerman Merz
Presidenti Erdoğan në bisedë tha se Turqia po bën përpjekje për t'i dhënë fund konfliktit dhe për të siguruar paqen, dhe se këto përpjekje do të vazhdojnë

Stamboll
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan ka zhvilluar bisedë telefonike me kancelarin gjerman, Friedrich Merz, transmeton Anadolu.
Sipas deklaratës së bërë në llogarinë e rrjeteve sociale të Kryesisë së Komunikimit të Presidencës së Turqisë, në bisedë u diskutua për konfliktin midis Izraelit dhe Iranit si dhe mbi çështjet bilaterale dhe rajonale.
Duke theksuar se zgjidhja e mosmarrëveshjes mbi programin bërthamor të Iranit është kthimi në tryezën e negociatave dhe se konflikti që filloi me sulmin e Izraelit ndaj Iranit e ka rritur kërcënimin për sigurinë rajonale në nivelin më të lartë, Erdoğan vuri në dukje se pasojat e kësaj spiraleje dhune të shkaktuar nga sulmet izraelite mund të dëmtojnë rajonin dhe Evropën për sa i përket migrimit dhe mundësisë së rrjedhjeve bërthamore.
Presidenti Erdoğan në bisedë tha se Turqia po bën përpjekje për t'i dhënë fund konfliktit dhe për të siguruar paqen, dhe se këto përpjekje do të vazhdojnë.