Bota

Presidenti Begaj shpallet “Qytetar Nderi” i Gjilanit

Sipas njoftimit nga Presidenca e Shqipërisë, në fjalimin përshëndetës Presidenti Begaj ka deklaruar se e pranon me përulësi të jetë "Nderi i Gjilanit", sipas tij, një qytet i traditës, historisë, sakrificës dhe qëndresës

Fatjon Cuka  | 10.04.2025 - Përdıtësım : 11.04.2025
Presidenti Begaj shpallet “Qytetar Nderi” i Gjilanit Foto: Presidenca e Shqipërisë

Gjilan

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, u shpall sot “Qytetar Nderi” i Gjilanit, transmeton Anadolu.

Gjatë ceremonisë së zhvilluar në Asamblenë Komunale, ishin të pranishëm kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, kreu i Kuvendit Komunal, Kushtrim Kadriu, dhe zyrtarë të tjerë.

Sipas njoftimit nga Presidenca e Shqipërisë, në fjalimin përshëndetës në ceremoninë e marrjes së titullit, presidenti Begaj ka deklaruar se e pranon me përulësi të jetë "Nderi i Gjilanit", sipas tij, një qytet i traditës, historisë, sakrificës dhe qëndresës.

“Ky titull u përket të gjithë shqiptarëve, që në momentet më të vështira të historisë së Kosovës qëndruan pranë dhe krah jush, si pjesë e pandashme e një trungu të përbashkët", është shprehur Begaj, duke iu drejtuar të pranishmëve.

Begaj ka theksuar se Shqipëria ka qenë pranë Kosovës dhe do të jetë gjithmonë dhe shtoi se "së bashku duhet ta shohin të ardhmen në një rrugëtim drejt integrimit evropian".

“Ne do të qëndrojmë pranë njëri-tjetrit kurdoherë edhe në kohë paqeje, sepse paqja, që të mbrohet, kërkon diçka edhe më të vështirë: mendje të mençura, vizion të qartë dhe guxim për të ndërtuar një të ardhme, një të ardhme më të begatë për kombin tonë", ka theksuar ndër të tjera Begaj.

Gjatë qëndrimit në Gjilan, Begaj zhvilloi një takim me drejtuesit lokalë dhe përfaqësuesit e partive politike në asamblenë e këtij qyteti.

Presidenti i Shqipërisë gjithashtu kreu homazhe dhe mbajti një minutë heshtje edhe në Varrezat e Dëshmorëve të qytetit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın