Şenhan Bolelli
04 Nëntor 2021•Përditësim: 04 Nëntor 2021
Këshilli i Shtetit të Portugalisë, i kryesuar nga presidenti Marcelo Rebelo de Sousa, vendosi të mërkurën të shpërndajë Parlamentin pasi deputetët refuzuan projektligjin e qeverisë për buxhetin e vitit 2022, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë, Zyra e presidentit tha se shumica e anëtarëve të trupit konsultativ miratuan propozimin e presidentit për shpërndarjen e parlamentit.
Presidenti De Sousa pritet të shpallë datën për zgjedhje të parakohshme menjëherë pas konsultimeve me liderët e partive kryesore politike.
Projektligji i buxhetit për vitin 2022, i cili u dorëzua nga qeveria e pakicës së majtë, u refuzua nga parlamenti javën e kaluar.
Zgjedhjet e parakohshme pritet të mbahen në janar, sipas mediave lokale.
Partia Socialiste (PS) e cila drejtoi vendin me një qeveri të pakicës me mbështetjen e jashtme të Partisë Komuniste dhe Bllokut të Majtë, nuk e mbështeti buxhetin me arsyetimin se premtimet e tyre për rritje të pagës minimale dhe pensioneve, duke luftuar kundër varfërisë ndërsa ulja e tatimit mbi vlerën e shtuar në faturat e energjisë elektrike nuk u realizua.
Kryeministri socialist i Portugalisë, Antonio Costa, i cili formoi një qeveri të pakicës pas zgjedhjeve të mbajtura në tetor 2019, ka shërbyer si kryeministër për gjashtë vjet. Ai u rizgjodh më 6 tetor 2019.
Sondazhet tregojnë se Partia Socialiste në pushtet është favoriti kryesor për të fituar zgjedhjet, por nuk është e sigurt nëse do të jetë në gjendje të formojë qeveri të shumicës.