Mustafa Deveci
06 Maj 2021•Përditësim: 06 Maj 2021
Të paktën katër palestinezë u plagosën nga policia Izraelite të mërkurën gjatë një demonstrate solidariteti me banorët e lagjes Sheikh Jarrah në Kudsin Lindor të okupuar, raporton Anadolu Agency (AA).
Ata po protestonin kundër planit të qeverisë izraelite për të detyruar disa familje të largohen nga shtëpitë e tyre në lagje, njoftoi Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze.
Ndërsa tensionet në lagje u rritën, policia përdori topa uji për të shpërndarë protestuesit.
Ata gjithashtu ndërhynë kundër protestuesve me granata zhurmuese dhe njësi të ndërhyrjes duke goditur dhe arrestuar disa protestues, përfshirë një anëtar të stafit mjekësor.
Lëvizja Xhihadi Islam paralajmëroi Izraelin se nëse nuk përmbahet nga veprimet e saj në Kuds, "do të përballet me një përgjigje të papritur".
"Sulmi i Izraelit në lagjen Sheikh Jarrah të Kudsit të okupuar është një luftë sistematike e judaizimit", tha ajo.
Duke iu referuar popullit palestinez që i reziston luftës, deklarata theksoi se populli i Kudsit dhe lagjes Sheikh Jarrah nuk do të dorëzohen kurrë përpara të gjitha llojeve të shtypjes dhe terrorit.
Lagja Sheikh Jarrah
Gjykata Qendrore e Izraelit në Kudsin Lindor miratoi një vendim për dëbimin e shtatë familjeve palestineze nga shtëpitë e tyre në favor të kolonëve izraelitë që nga fillimi i këtij viti.
Që nga viti 1956, gjithsej 37 familje palestineze kanë jetuar në 27 shtëpi në lagje. Megjithatë, kolonët e paligjshëm hebrenj janë përpjekur t'i dëbojnë ata mbi bazën e një ligji të miratuar nga Parlamenti izraelit në vitin 1970.
Qindra mijëra palestinezë u detyruan të largoheshin nga fshatrat dhe qytetet e tyre në Palestinën historike në vendet fqinje, përfshirë Jordaninë, Libanin dhe Sirinë në vitin 1948.
Banorët e pjesës tjetër të palestinezëve e gjetën veten të zhvendosur në Rripin e Gazës dhe në Bregun Perëndimor pas sulmeve në rritje nga bandat sioniste për të hapur rrugën për krijimin e shtetit të Izraelit.
Palestinezët përdorin "Nakba" në arabisht, ose "Katastrofë", për t'iu referuar dëbimeve të vitit 1948 nga bandat sioniste.
Konflikti palestinezo-izraelit daton që nga viti 1917 kur qeveria britanike, në Deklaratën e famshme të Balfourit kërkonte "që në Palestinë të krijohet një atdhe kombëtar për popullin hebre".