Mustafa Melih Ahıshalı
01 janar 2023•Përditësim: 03 janar 2023
Policia e Iranit njoftoi se protestuesit kryesorë në protestat për Mahsa Aminin në kryeqytetin Teheran janë identifikuar me dronë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas Agjencisë së Lajmeve Fars, komandanti i policisë së Teheranit, Hossein Rahimi ka dhënë informacion lidhur me punimet e forcave të policisë në protesta.
"Institucioni i policisë përdori dronë për të identifikuar udhëheqësit e protestuesve në protestat e fundit", deklaroi Rahimi.
Ai tha se vazhdojnë procedurat e arrestimit për udhëheqësit në protesta dhe se përdorimi i dronëve do të vazhdojë me seriozitet.
- Protestat në Iran
Vdekja e 22-vjeçares Mahsa Amini më 16 shtator, e cila u sëmur dhe u dërgua në spital pasi u ndalua më 13 shtator nga patrullat e Irshad-it të njohur si "Policia e moralit" në Teheran, shkaktoi protesta kundër qeverisë së vendit në Iran.
Këshilli Sigurisë së Iranit më 3 dhjetor njoftoi se numri i viktimave në protesta ka tejkaluar mbi 200.
Instituti i Iranit për të Drejtat e Njeriut (IHR) me qendër në Norvegji në raportin e publikuar më 27 dhjetor njoftoi se numri i personave që kanë humbur jetën në protestat që filluan pas vdekjes së Aminit, është rritur në 476.
Sipas lajmeve në mediat iraniane gjatë protestave në të gjithë vendin kanë humbur jetën mbi 60 punonjës të sigurisë ndërsa janë arrestuar mijëra protestues.