Mehmet Solmaz
17 Tetor 2023•Përditësim: 18 Tetor 2023
Kirurgu britaniko-palestinez në spitalin Al-Shifa në Gaza tha se policia britanike e anti-terrorit u shfaq në shtëpinë e tij në Mbretërinë e Bashkuar dhe ngacmoi familjen e tij, transmeton Anadolu.
Dr. Ghassan Abu-Sitta, një kirurg i organizatës "Mjekët pa Kufij" (MSF) i cili shpesh flet për mediat në lidhje me kushtet e rënda të objekteve mjekësore në Rripin e Gazës, që është nën bombardimet dhe bllokadë të rreptë izraelite që nga sulmi i 7 tetorit nga Hamasi, ndau detajet e incidentit në X të hënën.
"Unë nuk do të ndalem së foluri në emër të pacientëve të mi dhe të dëshmoj për krimet që po kryhen", tha ai. Më vonë gjatë natës, mjeku u shfaq në BBC Newsnight, duke thënë se policia erdhi në shtëpinë e tij në Londër, ku jeton gruaja dhe 3 djemtë e tij.
"Mendoj se kjo është përpjekje brutale për ngacmim dhe mbyllje të gojës. Unë mbetem i përkushtuar të flas në emër të pacientëve të mi dhe të këtyre familjeve që po shkatërrohen. Janë 50 familje që janë fshirë nga regjistri civil, që do të thotë se gjyshërit, nipërit dhe prindërit janë vrarë të gjithë", tha ai.
Abu-Sitta tha se familja e tij tashmë ka mjaft arsye për t'u shqetësuar dhe çështja tani do të merret nga avokatët e tij.
"Më duhet të zbuloj pse dikush mendoi se ishte ide e mirë që të paraqiteshin në shtëpinë time dhe të pyesnin gruan time në cilën pjesë të spitalit jam dhe pse shkova, kush pagoi për biletën time dhe për cilën bamirësi punoj? Në këto momente të vështira, familja ime shikon këto bombardime duke e ditur shumë mirë që unë jam në mes të tij. Pra, të ngacmosh ata në këtë mënyrë është thjesht e çuditshme", tha ai.
Duke folur për gjendjen e kujdesit shëndetësor në Gaza, Abu-Sitta tha se spitali "Al-Shifa" kishte kapacitet prej 700 shtretër përpara shpërthimit të konfliktit të fundit, por numri i pacientëve që marrin trajtim tani është të paktën dyfish.
Ai shtoi se 40 për qind e të plagosurve janë fëmijë, shumica e të cilëve janë nxjerrë nga rrënojat pas shembjes së shtëpive të tyre.