İnci Gündağ,Gökhan Kurtaran
15 Shtator 2017•Përditësim: 15 Shtator 2017
LONDËR (AA) - Policia britanike ka njoftuar se e trajton si "incident terrorist" shpërthimin që sot ndodhi në metronë e Londrës, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë të policisë thuhet se shpërthimi në një tren në metro në orën 08:20 sipas kohës lokale në stacionin Parsons Green vlerësohet si "incident terrorist" dhe se "ka nisur hetim për sulm terrorist".
Kryeministrja britanike Theresa May lidhur me incidentin ka thënë se solidarizohet "me të plagosurit në këtë incident terrorist dhe punonjësit e ambulancave që kanë kryer ndërhyrje të guximshe".
Zyra e Kryeministrisë së Britanisë ka njoftuar se May do të kryesojë një takim urgjent të kabinetit lidhur me rastin.
Në ndërkohë, Shërbimi i Ambulancave të Londrës përmes një deklarate njoftoi se 18 persona janë plagosur si pasojë shpërthimit.
Në deklaratë po ashtu theksohet se të plagosurit janë hospitalizuar dhe se asnjëri nuk ndodhet në rrezik për jetë.
Ndërkaq, Zëvendëskomisari i Departamentit të Antiterrorizmit në Londër, Mark Rowley, u tha gazetarëve se shpërthimi në metro ka ndodhur si pasojë e "detonimit të një mjeti shpërthyes artizanal".
Ai informoi se hetimi mbi rastin është duke u kryer në mënyrë të shpejtë nga qindra detektivë, duke i hetuar kamerat në stacione dhe se në hetimin policor janë duke ndihmuar edhe shërbimi i brendshëm i inteligjencës MI5.
Në disa fotografi të shpërndara në rrjetet sociale nga dëshmitarë okularë shihet një kovë plastike e djegur brenda vagonit.
Megjithatë, nuk duket të jetë shkaktuar ndonjë dëm serioz në vagonin ku ndodhet kova. Dëshmitarët okularë më herët po ashtu njoftuan se disa persona që kishin dalë nga treni kishin pësuar djegie në fytyrë.
Duke folur për AA, njëri nga dëshmitarët okularë më parë tha se pas zhurmës së shpërthimit kishte filluar të ndihet erë plastike dhe se njerëzit kishin filluar të bërtasin duke u përpjekur të dalin nga treni.
"Nuk pashë asnjë të plagosur rëndë, por njerëzit ishin në panik, bërtisnin dhe qanin", tha ai.
Pas shpërthimit në stacionin Parsons Green, autoritetet e vendit pezulluan udhëtimet në linjat Earls Court-Wimbledon dhe Ealing Broadway-Turham Green, ndërsa policia vendosi kordon në stacion dhe rrugët përreth në kuadër të hetimeve.
Londra ishte goditur nga sulme me bombë më 7 korrik të vitit 2005, kur katër sulmues vetëvrasës shënjestruan tre stacione të metrosë dhe një autobus, duke lënë të vdekur 52 persona dhe duke plagosur mbi 700 të tjerë.
Metroja e Londrës përdoret nga mesatarisht pesë milionë njerëz në ditë.