Sinan Doğan
11 Prill 2021•Përditësim: 11 Prill 2021
Sot në Peru do të mbahen zgjedhjet për të përcaktuar kreun e shtetit që do të shërbejë deri në vitin 2026, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në raundin e parë të zgjedhjeve do të garojnë 18 kandidatë, kurse më shumë se 25 milionë votues do të mund të ushtrojnë të drejtën e votës.
Në zgjedhje do të zgjidhen edhe pesë anëtarët e Parlamentit Andean dhe 130 anëtarë të Kongresit.
Kandidatët duhet të marrin 50 për qind të votave për të fituar presidencën në raundin e parë.
Në të kundërtën, dy kandidatët me numrin më të lartë të votave do të garojnë në balotazh më 6 qershor.
Kandidati i qendrës së djathtë Yonhy Lescano, kandidatja e krahut të majtë Veronika Mendoza dhe kandidati i krahut të djathtë Hernando de Soto janë favoritë në raundin e parë, sipas sondazhit më të fundit.
Në mesin e kandidatëve është edhe Keiko Fujimori, vajza e ish-presidentit Alberto Fujimori, si dhe ish-futbollisti George Forsyth.
Asnjë kandidat nuk pritet të fitojë garën në raundin e parë, sipas sondazheve.
Midis viteve 2016 dhe 2020, dy krerë shtetesh u larguan nga detyra për shkak të akuzave për korrupsion në Peru, ndërsa vendi përjetoi një periudhë të vështirë krizash politike.
Manuel Merino u detyrua të jepte dorëheqjen pas gjashtë ditësh protestash të dhunshme.
Pas Merinos, Francisco Sagasti u zgjodh president nga Kongresi në një votim me 97 vota pro dhe 26 kundër në një zgjedhje që ai ishte i vetmi kandidat më 18 nëntor.