Ayhan Şimşek
14 Tetor 2019•Përditësim: 14 Tetor 2019
Gjermania ka kërkuar dialog të vazhdueshëm me Turqinë, pavarësisht dallimeve të mëdha lidhur me operacionin antiterrorist “Burimi i Paqes” që zhvillohet në veri të Sirisë për të pastruar rajonin nga elementet terroriste, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke folur në një konferencë për media në Berlin, Steffen Seibert, zëdhënës i kancelares Angela Merkel, pranoi “interesat e ligjshme të sigurisë” së Turqisë në rajon.
“Turqia është kërcënuar ashpër, përsëri dhe përsëri nga terrorizmi”, tha Seibert, por shtoi se qeveria gjermane nuk është bindur ende që ndërhyrja ushtarake është në përputhje të plotë me ligjin ndërkombëtar.
Seibert kërkoi që t’i jepet fund operacionit ushtarak, duke shprehur shqetësime për krizën humanitare dhe paqëndrueshmërinë në rajon.
“Pavarësisht dallimeve tona të qarta me Turqinë për këtë çështje të vështirë, është në interesin tonë të vazhdojmë dialogun”, theksoi Seibert, përkundër thirrjeve të partive opozitare ndaj qeverisë për të ngritur tonin drejt Ankarasë.
Më 9 tetor, Turqia nisi operacionin "Burimi i Paqes" në lindje të lumit Eufrat në veri të Sirisë për të siguruar kufijtë e saj duke eleminuar elementet terroriste dhe për të garantuar kthimin e sigurt të refugjatëve sirianë dhe integritetin territorial të Sirisë.
Ankaraja synon ta pastrojë rajonin në lindje të lumit Eufrat nga terroristët e PKK-së dhe dega e saj siriane PYD/YPG.
Në fushatën e saj terroriste më shumë se 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK, e listuar si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe Bashkimi Evropian (BE), është përgjegjëse për vdekjen e rreth 40.000 njerëzve, përfshirë shumë gra dhe fëmijë.