Ömer Tuğrul Çam
18 tetor 2022•Përditësim: 18 tetor 2022
Parlamenti Evropian (PE) nuk miratoi buxhetin e Frontex, Agjencisë për ruajtjen e kufijve të Bashkimit Evropian (BE), emri i të cilit përmendet me skandalet për kthimin prapa të emigrantëve në Detin Egje, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në votimin e raportit për lëvrimin e buxhetit të Frontex për vitin 2020 në Asamblenë e Përgjithshme të PE-së, që u mblodh në qytetin Strazburg të Francës, 345 deputetë kërkuan refuzimin e buxhetit, ndërsa 284 deputetë kërkuan miratimin e tij.
Deputetët Evropianë kritikuan Frontex-in për "gabime të rënda" nën drejtimin e ish-drejtorit të saj, Fabrice Leggeri, i cili dha dorëheqjen në muajin prill.
"Frontex nuk ka kryer punimet e nevojshme për të garantuar të drejtat themelore të emigrantëve dhe refugjatëve", thanë deputetët, duke theksuar se agjencia ka luajtur rol në kthimin prapa në mënyrë të paligjshme të rreth 1 mijë emigrantëve në periudhën mars 2020 - shtator 2021.
Gjithashtu deputetët kanë vënë në dukje se kanë përjetuar "tronditje dhe shqetësim të thellë" pasi një punonjës i Frontex kreu vetëvrasje pas pretendimeve për ngacmim seksual dhe se në vitin 2020 në institucion janë raportuar 17 raste të ngacmimit seksual, prej të cilave 15 janë lënë pezull dhe nuk janë ndjekur.
- Deputetët reaguan duke u ngritur në këmbë
Ndërkohë, një paragraf që u kërkua t‘i shtohej tekstit para votimit për lëvrimin e buxhetit të Frontex ka shkaktuar reagimin e deputetëve të PE-së.
Deputetët u ngritën në këmbë dhe shprehën kundërshtimet e tyre duke reaguar ndaj paragrafit të propozuar nga eurodeputeti finlandez, Petri Sarvamaa. Dhe pas kësaj, paragrafi i propozuar për shtim u refuzua.
Në paragraf pretendohej se autoritetet turke mbështesin kontrabandën e qenieve njerëzore, nuk bashkëpunojnë me Greqinë dhe gjithashtu mbrohej ideja se punonjësit e Frontex kanë zhvilluar "punime efektive" në situata që kërcënojnë jetën e emigrantëve.
- Skandalet e Frontex
Lajmet lidhur me ngjarjet e kthimeve prapa ku janë të përfshirë roja bregdetare greke dhe Frontex, janë paraqitur në shtypin ndërkombëtar që nga viti 2020. Sipas këtyre lajmeve, anijet e rojës bregdetare greke pengojnë, dëmtojnë, madje edhe i fundosin gomonet e emigrantëve që duan të kalojnë nga Türkiye në Greqi, ndërkohë që Frontex i ka injoruar këto.
Frontex dhe administrata e saj pas kësaj janë vënë në shenjestrën e kritikave, hetimeve dhe kërkesave për shpjegim në Bruksel dhe akuzat nuk janë ndalur pavarësisht se është arritur në përfundimin se nuk janë parandaluar shkeljet e të drejtave themelore.
Këto lajme u mbështetën me shumë prova të tilla si dëshmi të dëshmitarëve, regjistrime video dhe pamje satelitore. Është theksuar se në bazën e të dhënave të Frontex ka të dhëna për qindra emigrantë të parregullt që janë shtyrë prapa në Egje.
Lidhur me kthimet prapa, edhe Türkiye ndodhej në mesin e atyre që reagonin ndaj Greqisë dhe Frontex. Zyrtarët turq shpeshherë kanë theksuar se shtyrjet prapa janë çnjerëzore.
Së fundmi, raporti i zyrës së BE-së kundër korrupsionit (OLAF) zbuloi se Frontex ka mbuluar kthimet prapa të emigrantëve në ujërat territoriale turke të kryera në mënyrë të paligjshme nga roja bregdetare greke.
Sipas raportit që ka rrjedhur në shtypin evropian, zyrtarët e lartë të Frontex kanë fshehur nga zyrtarët përgjegjës për të drejtat themelore të institucionit rastet e shkeljeve të mundshme të të drejtave të njeriut.