Amina Zorniç
20 Janar 2016•Përditësim: 21 Janar 2016
LIMA (AA) - Parku ujor "Circuito Magico del Aqua" është kompleksi, i cili vetëm për disa vite tërhoqi vëmendjen e madhe të publikut dhe u bë një nga simbolet më të njohura të kryeqytetit të Perusë, Lima, raorton Anadolu Agency (AA).
Bëhet fjalë për parkun që është ndërtuar mbi tetë hektarë të parkut publik në qendër të Limas, dhe është hapur në korrik të 2007.
Ndërtimi i parkut ishte njëri nga disa projektet që kishte realizuar kryetari i Limas, Luis Castaneda Lossio, dhe kishte kushtuar 13 milionë euro.
Pavarësisht kritikave të ashpra që mori gjatë ndërtimit, parku vetëm për disa vite u bë vend takimi për të gjithë turistët vendas dhe të huaj, si dhe motivi kryesor në kartolinat e kryeqytetit peruan.
Kritikët kanë argumentuar se projekti ishte shumë i shtrenjtë dhe se do të shëmtonte pamjen e parkut publik, por këto kritika u shuan vetëm disa muaj pas hapjes së parkut.
Në vetëm gjysmë viti nga hapja, dy milionë persona kanë vizituar parkun, kurse në Librin Guiness të Rekordeve hyri si kompleksi më i madh i shatërvanëve në parqet publike.
Kompleksi përbëhet nga 13 “burime” që janë sinkronizuar me njëri tjetrin dhe të ndriçuara. Shatërvani më i madh "Fuente Magica" është i vendosur në qendër të kompleksit dhe hedh ujin në një lartësi prej 80 metrash.