Ekip
05 Maj 2019•Përditësim: 05 Maj 2019
Kreu i Kishës Katolike Papa Françesku arriti për vizitë dyditore zyrtare në Bullgari, raporton Anadolu Agency (AA).
Papa Françesku në aeroportin e Sofjes u prit nga kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov dhe një numër zyrtarësh të lartë bullgarë.
Borisov ndër të tjera Papën në aeroport e gostiti me një gotë jogurti bullgar.
Kryeministri bullgar sqaroi veprimin e tij se kishte dëgjuar se Papa Françesku për herë të parë kishte dëgjuar për Bullgarinë në fëmijërinë e tij të hershme kur gjyshja e tij në Argjentinë i kishte dhënë një gotë jogurti bullgar.
"Kam kënaqësinë të pres njeriun që është simbol i fesë në botë", ka thënë Borisov në aeroport.
Gjatë vizitës dyditore Papa do të takohet me kryeministrin Borisov dhe do të vizitojë kampet e refugjatëve në Bullgari.
Autoritetet bullgare zbatojnë poltika të ashpra të parandalimit të hyrjes së emigrantëve, e cila nuk përputhet me qëndrimin e Papës i cili shpesh bënë thirrje që të ndihmohen njerëzit në fatkeqësi.
Vizita e Papës në Bullgari u organizua tre javë para zgjedhjeve parlamentare evropiane. Bullgaria është anëtare e Bashkimit Evropian që nga viti 2007 dhe me paga mesatare mujore prej 575 euro është vendi më i pazhvilluar në BE.
Pas përfunditmit të vizitës në Bullgari, Papa do të udhëtojë për vizitë njëditore në Maqedoninë e Veriut.