Muhammet Nazım Taşcı
05 Janar 2022•Përditësim: 05 Janar 2022
Liderët pakistanezë i kanë bërë thirrje botës për t'i dhënë fund shkeljeve të të drejtave të njeriut në rajonin Xhamu Kashmir të Indisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në përvjetorin e vendimit të Komisionit të Kombeve të Bashkuara për Indinë dhe Pakistanin (UNCIP), lidhur me atë se cilit vend do t'i bashkohet Kashmiri duhet të zgjidhet me plebishit, të 5 janarit të vitit 1949, liderët pakistanezë publikuan mesazhe.
Presidenti i Pakistanit, Arif Alvi, i bëri thirrje botës se India duhet të mbahet përgjegjës për shkak të shkeljeve të të drejtave të njeriut në Xhamu Kashmir, duke kërkuar gjithashtu nga komuniteti ndërkombëtar që të luajë rolin që i takon për zgjidhje paqësore dhe të qëndrueshme për çështjen e Xhamu Kashmirit.
Kryeministri pakistanez, Imran Khan, nga ana tjetër, duke theksuar se paqja në Azinë Jugore varet nga zgjidhja e çështjes së Xhamu Kashmirit në mënyrë paqësore mbi bazën e legjitimitetit ndërkombëtar, theksoi se bota nuk mund të heqë dorë nga përgjegjësitë e saj morale dhe ligjore ndaj popullit të Kashmirit.
Ai vuri në dukje se me praninë e 900 mijë ushtarëve India ka shndërruar Xhamu Kashmirin në "burgun e hapur dhe zonën e militarizuar më të madh në botë", ndërsa nga OKB-ja kërkoi që të veprojë për krimet e luftës të Indisë kundër njerëzimit dhe popullit të rajonit në Xhamu Kashmir.
Ndërkaq, Ministri i Jashtëm, Shah Mahmood Qureshi, tha se OKB-ja duhet të mbajë premtimin e saj për vetëvendosje ndaj popullit të Kashmirit.
- Çështja e Kashmirit
Britania e Madhe gjatë tërheqjes së saj nga India në vitin 1947, kishte lënë të lirë Kashmirin i cili ishte nën sundimin e princit, t'i bashkohet ose Indisë ose Pakistanit. 90 për qind e popullatës së Kashmirit e cila është muslimane në vitin 1947 doli me qëndrimin që t'i bashkohet Pakistanit, por princi i asaj kohe, vendosi të bashkohet me Indinë në vend të Pakistanit. Ndërsa këtë vendim e kundërshtoi popullata muslimane e Kashmirit.
Pasi Pakistani dhe India dërguan ushtarë në rajon, palët luftuan për herë të parë në vitin 1947. Të dy vendet për të njëjtin shkak luftuan edhe në vitet 1965 dhe 1999. 45 për qind e Kashmirit është nën kontrollin e Indisë, ndërsa 35 për qind nën kontrollin e Pakistanit. 20 për qind e rajonit është nën kontrollin e Kinës. India, rajonet të cilat i okupoi i lidhi me vete nën emrin provinca "Xhammu Kashmir".
Xhamu Kashmir është provinca e vetme e Indisë ku jeton shumicë muslimane. Ndërsa Pakistani Kashmirin që e ka nën kontroll i dha status të dy rajoneve autonome "Azad Kashmir (Kashmiri i Pavarur)" dhe "Gilgit Baltistan".
Ndërkohë, India më 5 gusht të vitit të kaluar duke anuluar nenin 370 kushtetues që i njeh Kashmirit statusin e veçantë për më shumë se gjysmë shekulli, eliminoi strukturën me status të veçantë të rajonit dhe e ndau Xhamu dhe Kashmirin në territorin e dy njësive.
Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) me vendimin e marrë nga viti 1948 kishte parashikuar pastrimin e Kashmirit nga ushtarët ndërsa e ardhmja t'i caktohet me referendum. India nuk është dakord me referendumin, ndërsa Pakistani kërkon të zbatohen vendimet e KS të OKB-së.