Bota

Ora e Fundit të Botës vendoset në 85 sekonda para mesnatës

Ora mirëmbahet nga Buletini i Shkencëtarëve Atomik, i cili përmendi rreziqet në rritje bërthamore, përshpejtimin e ndryshimeve klimatike dhe zhvillimin e shpejtë të teknologjive përçarëse si faktorët kryesorë pas këtij vendimi

Hazel Belkıs Belge  | 28.01.2026 - Përdıtësım : 28.01.2026
Ora e Fundit të Botës vendoset në 85 sekonda para mesnatës

Stamboll

Ora e Fundit të Botës është vendosur në 85 sekonda para mesnatës, duke shënuar pikën më të afërt me katastrofën globale që nga prezantimi i saj i parë në vitin 1947, teksa shkencëtarët paralajmërojnë se njerëzimi po dështon të frenojë kërcënimet ekzistenciale në rritje, transmeton Anadolu.

Ora mirëmbahet nga Buletini i Shkencëtarëve Atomik, i cili përmendi rreziqet në rritje bërthamore, përshpejtimin e ndryshimeve klimatike dhe zhvillimin e shpejtë të teknologjive përçarëse si faktorët kryesorë pas këtij vendimi.

Siç raporton CBS News, Alexandra Bell, presidente dhe drejtuese ekzekutive e Buletinit të Shkencëtarëve Atomik, tha se "njerëzimi nuk ka bërë përparim të mjaftueshëm përballë rreziqeve ekzistenciale që na kërcënojnë të gjithëve".

Daniel Holz, kryetar i bordit të shkencës dhe sigurisë së Buletinit të Shkencëtarëve Atomik dhe profesor i fizikës në Universitetin e Chicagos, paralajmëroi se ndikimet klimatike po përshkallëzohen në mbarë botën.

"Thatësirat, zjarret, përmbytjet dhe stuhitë vazhdojnë të intensifikohen dhe të bëhen më të paparashikueshme dhe kjo vetëm sa do të përkeqësohet", tha Holz.

Ora e Fundit të Botës u krijua pas Luftës së Dytë Botërore, pas përdorimit të bombave atomike, me qëllim paralajmërimin e publikut dhe politikëbërësve për kërcënimet ndaj mbijetesës së njerëzimit.

Vitet e fundit, ora është zhvendosur vazhdimisht më afër mesnatës, ndërsa shkencëtarët paralajmërojnë se liderët politikë kanë dështuar të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të kthyer mbrapsht rreziqet në rritje.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.