Malik Hasa
13 shkurt 2016•Përditësim: 13 shkurt 2016
TIRANË (AA) – Nga një operacion ndërkombëtar anti-drogë i koduar “Chema” mes Policive të Shqipërisë, Maqedonisë, Turqisë, Kosovës dhe Serbisë janë arrestuar e ndaluar 18 persona. Nga këta 15 shtetas u arrestuan në Maqedoni dhe Serbi si dhe 3 shtetas në Shqipëri, raporton Anadolu Agency (AA).
Nga burimet zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë Shqiptare mësohet se në këtë operacion që zgjati rreth 1 vit, në Shqipëri, Maqedoni dhe Serbi janë sekuestruar në total 3232 gramë heroinë, 4600 gramë kanabis sativa dhe 2.83 gramë kokainë.
Në kuadër të proçedimit penal të Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë, për veprën penale të ‘’Trafikimit të lëndëve narkotike” e kryer në bashkëpunim, sot në Tiranë, është bërë i mundur arrestimi i shtetasit Bashkim Murataj, 52 vjeç.
Në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Korçë, është bërë i mundur arrestimi në flagrancë, i shtetasve: Mevlan Idriz, 39 vjeç, lindur dhe banues në Tetovë dhe Mahir Abdi, 46 vjeç, banues në Tetovë.
Operacioni për arrestimin e tyre është koordinuar nga Drejtoria për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në Policinë e Shtetit Shqiptar, në bashkëpunim autoritetet policore në Maqedoni, Serbi, Turqi dhe Kosovë.