Bayram Altuğ
27 Janar 2017•Përditësim: 27 Janar 2017
GJENEVË (AA) - Yara Sharif, zëdhënësja e Përfaqësuesit të Posaçëm të Kombeve të Bashkuara (OKB) për Sirinë, Staffan de Mistura, në lidhje me lajmet se janë shtyrë takimet për Sirinë që ishin planifikuar të mbaheshin në Gjenevë më 8 shkurt, ka thënë se "Nga ana jonë, ende nuk bëhet fjalë për shtyrje", raporton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësja Sharif është prononcuar për AA në lidhje me deklaratën e ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov se janë shtyrë për në fund të muajit takimet për Sirinë që ishin planifikuar të mbaheshin në fillim të muajit shkurt në Gjenevë.
Duke theksuar se vendimin për shtyrjen e takimeve mund ta japë vetëm de Mistura, Sharif tha: "De Mistura javën që vjen do të shkojë në New York. Pasi të takohet me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres dhe anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, do të japë deklaratë në lidhje me këtë çështje. Nga ana jonë, ende nuk bëhet fjalë për shtyrje."
Lavrov konfirmon shtyrjen e bisedimeve për Sirinë
Ndryshe, Lavrov, i cili është takuar me grupin e ashtuquajtur "përfaqësuesit politikë të opozitës siriane" në Moskë, paraprakisht theksoi se është i papranueshëm pasiviteti i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), që nuk është duke organizuar bisedime për Sirinë që nga muaji prill i vitit të kaluar.
"Bisedimet në Gjenevë u shtynë nga 8 shkurti në fund të muajit. Në Gjenevë mendojmë se duhet fokusim në çështje të qarta, siç janë punimet për kushtetutën", tha më parë Lavrov.