Fatih Erel
06 Shkurt 2018•Përditësim: 06 Shkurt 2018
GJENEVË (AA) – Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) ka bërë thirrje emergjente për ndalimin e përleshjeve për të paktën një muaj për dorëzimin e ndihmave humanitare në Siri, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjatë fjalimit të tij në një konferencë të mbajtur në Zyrën e OKB-së në Gjenevë, zëdhënësi i Zyrës Koordinative për Çështje Humanitare pranë OKB-së, Jens Laerke, theksoi nevojën e ndalimit të përleshjeve për të paktën një muaj, për dërgimin e ndihmave për civilët të cilët jetojnë nën rrethim, sidomos në Gutën Lindore, Idlib, Fua dhe Kefraja.
Laerke thotë se civilë të shumtë kanë humbur jetën edhe pas kthimit të tyre në shtëpi pas çlirimit të Rakka-s nga organizata terroriste DEASH, si pasojë e shpërthimit të bombave të shkrepura në rajon. Ai vuri në dukje se “operacioni ushtarak” në Idlib po rrit numrin e viktimave civile.
Operacioni "Dega e Ullirit" nuk i pengon ndihmat
Laerke në një deklaratë për AA vuri në dukje se përkundër operacionit "Dega e Ullirit" të Turqisë në Afrin, nuk ka ndonjë problem për ofrimin e ndihmave humanitare në rajon.
Zëdhënësi i OKB-së shtoi se në thirrjen për armëpushim për dorëzimin e ndihmave humanitare nuk përfshihet operacioni i Forcave të Armatosura Turke në Afrin.
Sipas njoftimit të Shtabit të Përgjithshëm, operacioni "Dega e Ullirit" po zhvillohet në kuadër të së drejtës së Turqisë bazuar në të drejtën ndërkombëtare, rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të drejtat e vetëmbrojtjes sipas kartës së OKB-së dhe duke respektuar integritetin territorial të Sirisë.
Në Gutën Lindore 120 fëmijë presin për evakuim emergjent
Përfaqësuesi i UNICEF-it për Sirinë, Fran Equiza, u lidh në konferencë me një thirrje telefonike ku tha se “duhet të realizohet evakuimi mjekësor i 120 fëmijëve nga Guta Lindore në mënyrë emergjente”.
Sipas tij, vetëm në janar të këtij viti në Siri janë kryer katër sulme ndaj spitalit. Equiza shtoi se gjatë këtij viti afro 60 fëmijë kanë humbur jetën nga përleshjet.
Në Gutën Lindore, rajon i kontrolluar nga opozitarët që gjendet në kryeqytetin e Sirisë, Damask, jetojnë rreth 400 mijë civilë, gjysma e të cilëve janë fëmijë. Qindra civilë të sëmurë presin të evakuohen urgjentisht nga rajoni në të cilin kriza humanitare është thelluar.
Shumica e të sëmurëve janë fëmijë ose persona që vuajnë nga kanceri në fazë të avancuar. Shumë foshnje dhe fëmijë në Gutën Lindore kanë humbur luftën për mbijetesë për shkak të urisë dhe mungesës së barnave.
Regjimi sirian gjatë dy muajve të fundit ka intensifikuar sulmet ndaj Idlibit, në veri të shtetit. Vetëm gjatë muajit janar jetën e kanë humbur 211 civilë. Edhe Rusia, shtet garantues i regjimit, kohë pas kohe e mbështet regjimin e Asadit nga ajri.
Guta Lindore dhe Idlibi në takimin e Astana-s më 4-5 maj të vitit të kaluar nga Turqia, Rusia dhe Irani u shpallën si zona të deeskalimit.