Kasım İleri
28 Dhjetor 2016•Përditësim: 28 Dhjetor 2016
WASHINGTON (AA) – Presidenti Barack Obama dhe kryeministri i Japonisë Shinzo Abe dhanë mesazhe të forta të pajtimit dhe të aleancës të martën në Pearl Harbor të Hawait, raporton Anadolu Agency (AA).
Shtatë muaj pasi Obama vizitoi Hiroshimën për të bërë nderime për dhjetëra mijëra viktimat japoneze të sulmit bërthamor amerikan gjatë Luftës së Dytë Botërore, kryeministri i Japonisë Shinzo Abe vizitoi Pearl Harbor, bazën ushtarake amerikane, e cila kishte pësuar humbje të rënda gjatë sulmit të papritur japonez në 7 tetor të vitit 1941.
Pas një takimi formal, të dy udhëheqësit vendosën kurora lulesh në qendrën memoriale 'USS Arizona', në rrënojat e anijes së fundosur amerikane, ku u vranë më shumë se 1.000 trupa amerikane.
Të dy liderët rikujtuan ngjarjet në Pearl Harbor dhe vlerësuan përpjekjet për të rivendosur marrëdhëniet midis Japonisë dhe SHBA-së.
"Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Japonia zgjodhën miqësinë dhe zgjodhën paqen. Gjatë dekadave, aleancat tona kanë bërë kombet më të suksesshme", ka thënë Obama. "Aleanca jonë nuk ka qenë kurrë më e fortë. Në kohë të mira dhe të këqija ne ishim pranë njëri-tjetrit".
Abe shprehu "ngushëllime të sinqerta dhe të përjetshme" për viktimat e Pearl Harbor.
"Ne kurrë më nuk duhet të përsërisim tmerret e luftës. Ky është betimi solemn, që ne populli i Japonisë kemi marrë", tha Abe.
"Kjo është dëshira ime që fëmijët tanë japonezë dhe Presidenti Obama, fëmijët tuaj amerikanë, dhe në të vërtetë fëmijët e tyre dhe nipërit e mbesat, dhe njerëzit e gjithë botës, do të vazhdojnë të kujtojnë Pearl Harbor si simbol i pajtimit", tha Abe.
Abe u zotua se nuk do të "kursejë asnjë përpjekje" për të ndihmuar pajtimin.
Më shumë se 2.400 ushtarë dhe civilë amerikanë u vranë në sulmin e Pearl Harbor, e cila çoi në hyrjen e SHBA-së në Luftën e Dytë Botërore.