Ekip
12 Dhjetor 2015•Përditësim: 13 Dhjetor 2015
MADRID (AA) - Autoritetet spanjolle kanë arrestuar Ali Charaf Damache, i cili dyshohet si anëtar i Al-Kaedës që kërkohet në SHBA si person i akuzuar për terrorizëm, raporton Anadolu Agency.
Charaf Damache, i cili mban dy shtetësi, atë irlandeze dhe algjeriane, u arrestua në Barcelonë të mërkurën dhe gjatë natës u transferua në Madrid, ku do të paraqitet para Gjykatës së Lartë spanjolle. Ai ka vuajtur një dënim me burg në Irlandë, pasi u arrestua në vitin 2010 për shkak të një telefonate kërcënuese ndaj një aktivisti musliman amerikan.
Në vitin 2011, Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjithashtu e kishin akuzuar për shkak se përdorte një faqe chat të internetit, ku rekrutonte femra amerikane për të formuar celula terroriste dhe për të siguruar mbështetje materiale për terroristët.
Ndërsa gjatë paraburgimit në Irlandë, Gjykata e Lartë në maj nuk pranoi ekstradimin e tij në burgun e Shtetit Kolorado të SHBA-ve. Gjyqtari që drejtonte procesin, Elaine Donnelly, tha se kishte "arsye serioze që të besonte se Damache do të jetë në rrezik të vërtetë, ku do ti nënshtrohet një trajtimi çnjerëzor dhe degradues nëse ekstradohet në SHBA". Sipas gazetës irlandeze Times, Damache "u lirua atë pasdite".