Lokman İlhan
20 Qershor 2017•Përditësim: 20 Qershor 2017
BOGOTA (AA) - Dy gazetarë holandezë që kryenin xhirime për dokumentarë janë rrëmbyer nga një grup i armatosur në qytetin El Tarra të Kolumbisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Përmes një deklarate nga forcat e sigurisë së Kolumbisë theksohet se gazetarët holandezë që punonin për realizimin e dokumentarëve, Derk Johannes dhe Eugenio Ernest Marie Follender, janë rrëmbyer nga një grup i armatosur në zonën periferike të qytetit El Tarra, në Norte de Santander.
Në deklaratë gjithashtu është tërhequr vëmendja se në rajonin në fjalë kanë prani grupet rebele si Ushtria Çlirimtare Kombëtare (ELN) dhe grupet e armatosura të karteleve të drogës Los Pelusos. Dyshohet se gazetarët holandezë mund të jenë rrëmbyer nga një grup i lidhur me ELN. Edhe në lajmet në shtypin vendas ELN është treguar si përgjegjëse për ngjarjen e rrëmbimit.
Ndër të tjera në deklaratë thuhet se institucionet zyrtare në rajon kanë formuar një tryezë të krizës për shpëtimin e gazetarëve.
Organizatat e të drejtave të njeriut kanë dënuar ngjarjen e ndodhur në Kolumbi dhe kanë bërë thirrje për lirimin sa më shpejt të gazetarëve të rrëmbyer.
Qeveria më parë kishte njoftuar se do të vështirësonte procesin e paqes në rast se ELN do të vazhdonte aktet e rrëmbimit të personave.
Raundi i dytë i bisedimeve të nisura më 7 shkurt në kryeqytetin e Ekuadorit, Quito mes Qeverisë së Kolumbisë dhe ELN vazhdon nën vëzhgimin dhe garantimin e Ekuadorit, Shilit, Kubës, Venezuelës, Norvegjisë dhe Brazilit.