Dildar Baykan
17 Gusht 2017•Përditësim: 17 Gusht 2017
SEUL (AA) – Presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in, thotë se “Mund të them lirisht se në Gadishullin Korean nuk do të ketë më kurrë luftë", transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një konferencë për media me rastin e ditës së 100-të si president, ai foli për marrëdhëniet me Korenë e Veriut si dhe për krizën mes Koresë së Veriut dhe SHBA-ve.
Ai ka vënë në dukje se pas luftës së Koresë i gjithë populli është përpjekur për ta rindërtuar shtetin.
Moon shprehet se kanë rënë dakord që për ndonjë opsion kundër Koresë së Veriut, SHBA-ja dhe presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, përpara do ta diskutojë me Korenë e Jugut.
Moon thotë se qeveria e Seulit dhe e Uashingtonit ndajnë mendimin e njëjtë lidhur me programet bërthamore të Veriut dhe për praktikimin e sanksioneve të ashpra dhe të presionit ndaj qeverisë së Phenianit për ndalimin e provokacioneve dhe detyrimin për negociata.
Moon pretendon se “Fjalët e Trumpit kundër Koresë së Veriut janë shenjë e një zgjidhjeje të fortë për t’i ushtruar presion Koresë së Veriut, dhe që nuk nënkuptojnë patjetër në konflikt ushtarak."
“Besoj se përfundimi i punimeve të raketës balistike interkontinentale dhe të përgatitjes së kokës së raketës bërthamore nënkupton afrim të vijës së kuqe. Koreja e Veriut po vjen në një pikë kritike. Për këtë arsye duhet t’i ndalojmë provokimet e Koresë së Veriut”, thotë Moon.
Duke vënë në dukje se në qoftë se Koreja e Veriut ndalon punimet për programin bërthamor mund të dërgojnë në Veri ambasador special, ai thekson se “Dialogu mes Koresë së Jugut dhe Veriut duhet të fillojë përsëri. Por për këtë nuk duhet të jemi edhe të paduruar. Kapërcimi i marrëdhënieve të tensionuara për dhjetëra vite, dhe fillimi i dialogut mund të kërkojë një kohë dhe përpjekje të konsiderueshme."
Gjenerali Kim Rak Gyom, shef i komandës raketore të Koresë së Veriut, kishte theksuar se vendi i tij është i gatshëm të fillojë operacion ushtarak në afërsi të Ishullit Guam, territorin e painkorporuar të SHBA-ve në Paqësor. Sipas tij, plani që përfshin prova të raketave me rreze të mesme veprimi që parashihen të bien 30 deri në 40 kilometra larg nga ishulli, do përpilohet përfundimisht deri në mes të muajit, ndërsa pas kësaj, do të pritet miratim nga lideri koreanoverior Kim Jong-un.
Ndërkaq presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, i ka bërë thirrje Koresë së Veriut që të heq dorë nga kërcënimet dhe që në të kundërtën Pheniani do të përballet me "tërbimin dhe zemërimin e SHBA-ve". Kurse Koreja e Veriut në një deklaratë ditë më parë kishte njoftuar se ka shtyrë planin e lëshimit të raketës në ishullin Guam.