Alma Çekovic
08 Qershor 2017•Përditësim: 09 Qershor 2017
LONDËR (AA) – Në Britani të Madhe sot mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ku 46.9 milionë votues të regjistruar kanë të drejtë të zgjedhin 650 deputetë në Parlament, raporton Anadolu Agency (AA).
Vendvotimet janë hapur në orën shtatë të mëngjesit sipas kohës lokale, ndërsa qytetarët deri në orën 22:00 mund të votojnë në më shumë se 40.000 vendvotime.
Voton kryeministrja Theresa May
Liderja e Partisë Konservatore Theresa May, udhëtoi me bashkëshortin Philip në Maidenhead për të votuar.
May gjatë fushatës zgjedhore premtoi se do të ndërtojë një Britani më të fortë, më të drejtë dhe më prosperuese, ndërsa lideri i opozitës Jeremy Corbyn tha se do të qeverisë me shumicën, e jo për individë.
Britanikët do të zgjedhin mes 3.303 kandidatëve në 650 zona zgjedhore në mbarë vendin, aq sa ka vende në Dhomën e Poshtme të Parlamentit, ndërsa për të formuar shumicë absolute, partia doemos duhet të fitojë 326 vende deputeti.