Në Abu Dhabi fillon dita e dytë e bisedimeve trepalëshe Rusi–Ukrainë–SHBA
Një raund i dytë konsultimesh filloi të mërkurën në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe midis delegacioneve nga Moska, Kievi dhe Washingtoni për të arritur një zgjidhje për konfliktin e armatosur të vazhdueshëm
Stamboll
Dita e dytë e një raundi të dytë bisedimesh trepalëshe midis Rusisë, Ukrainës dhe SHBA-së për t'i dhënë fund luftës Moskë-Kiev filloi të enjten në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Abu Dhabi, transmeton Anadolu.
"Ne po punojmë në të njëjtat formate si dje: konsultime trepalëshe, grupe pune dhe koordinim i mëtejshëm i pozicioneve", tha kryenegociatori i Ukrainës, Rustem Umerov, në platformën amerikane të mediave sociale Facebook.
Një raund i dytë konsultimesh filloi të mërkurën në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe midis delegacioneve nga Moska, Kievi dhe Washingtoni për të arritur një zgjidhje për konfliktin e armatosur të vazhdueshëm, i cili do të hyjë në vitin e tij të pestë më vonë këtë muaj.
Pas ditës së parë të bisedimeve, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha gjatë një video-fjalimi në mbrëmje se Kievi pret që një shkëmbim i të burgosurve të ndodhë midis Moskës dhe Kievit "në të ardhmen e afërt".
“Diskutuam rezultatet e ndërmjetme të negociatave për sot. Ato do të vazhdojnë nesër (e enjte). Do të ketë gjithashtu një hap të rëndësishëm: presim një shkëmbim të të burgosurve të luftës në të ardhmen e afërt. Të burgosurit duhet të kthehen në shtëpi”, tha ai pasi mori një raport nga delegacioni i Ukrainës në ditën e parë të bisedimeve, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Veçmas, i dërguari presidencial rus, Kirill Dmitriev, i cili gjithashtu mbërriti në Abu Dhabi për negociatat, u tha gazetarëve të enjten se ka “përparim” dhe “lëvizje të mira dhe pozitive” drejt një marrëveshjeje paqeje midis Rusisë dhe Ukrainës.
Ai shtoi se pala ruse po punon gjithashtu në mënyrë aktive me administratën e Presidentit të SHBA-së Donald Trump për të rivendosur marrëdhëniet ekonomike midis Moskës dhe Washingtonit.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
