Ali Cura
09 Korrik 2017•Përditësim: 10 Korrik 2017
KIEV (AA) - Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, tha se do të bëjë gjithçka për të mbështetur integritetin territorial dhe pavarësinë e Ukrainës, raporton Anadolu Agency (AA).
Guterres, në kuadër të vizitës së tij në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, u takua me kryeministrin e vendit, Vladimir Groysman. "Do të bëj gjithçka brenda kompetencave që kam për të mbështetur paqen, prosperitetin e popullit ukrainas, për të siguruar pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës", tha Guterres, rreth krizës në Ukrainë.
Guterres duke theksuar se do të mbështesë negociatat për zgjidhjen e krizës në Ukrainë, në lidhje me përleshjet në Donbas, tha se "Ne e dimë që përleshjet ende vazhdojnë. Sigurisht që bëjmë thirrje që të përfundojnë plotësisht përleshjet".
Ai më tutje duke tërhequr vëmendjen për gjendjen e rëndë të atyre personave që jetojnë në linjën e konfliktit në Donbas dhe atyre që i braktisin vendet e tyre ku jetojnë, tha se është e nevojshme që OKB-ja të vazhdojë ndihmat humanitare në Ukrainë.
Ndërkohë kryeministri i Ukrainës, Vladimir Groysman, duke theksuar se Rusia shkel rregullat e të drejtës ndërkombëtare, nuk e respekton sovranitetin e Ukrainës dhe se ka filluar një luftë kundrejt botës demokratike, theksoi se vendi i tij është bërë i varur nga ndihmat humanitare.
"Agresioni i Rusisë kundër Ukrainës duhet të mundësojë bashkimin tonë dhe (Rusia) duhet të përfundojë këtë sulm barbar ndaj Ukrainës", tha Groysman.