Elena Teslova
23 Mars 2022•Përditësim: 23 Mars 2022
Sipas mediave ruse, Anatoli Chubais, i dërguari i posaçëm i presidentit rus, Vladimir Putin ka dhënë dorëheqje dhe është larguar nga vendi, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kjo është hera e parë që nga fillimi i luftës në Ukrainë që një zyrtar i lartë rus jep dorëheqje nga posti i tij, siç pretendohet, në shenjë proteste ndaj konfliktit.
Siç raporton agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS, një burim i afërt me zyrtarin tha se Chubais dha “dorëheqje nga posti i përfaqësuesit të posaçëm dhe u largua nga vendi”.
Chubais, një oligark rus, ishte anëtar me ndikim i administratës së ish-presidentit Boris Yeltsin në fillim të viteve të 90’ta.
Ai është përgjegjës për privatizimin e shumë ndërmarrjeve shtetërore dhe ishte një figurë kyçe në paraqitjen e një ekonomie të tregut dhe pronësisë private në vend.
Nga viti 1998 deri në vitin 2008, ai drejtoi monopolin shtetëror të energjisë elektrike RAO UES.
Që nga dhjetori i vitit 2020, ai punoi si i dërguar i posaçëm për marrëdhëniet me organizatat ndërkombëtare.