Çiğdem Alyanak,Andaç Hongur
03 Tetor 2018•Përditësim: 03 Tetor 2018
STAMBOLL (AA) - TRT World Forum, konferencë dyditore që do të mbledhë udhëheqësit e opinionit dhe politikëbërësit nga e gjithë bota, filloi sot në Stamboll, raporton Anadolu Agency (AA).
Tema e evenimentit për këtë vit është "Rimendimi i paqes dhe sigurisë në një botë të fragmentuar".
"Çështjet dhe sfidat më urgjente" në të gjithë botën do të diskutohen gjatë dy ditëve të evenimentit, ku AA është partneri global i komunikimit.
Pjesëmarrësit gjithashtu do të "synojnë të ofrojnë kolektivisht strategji dhe zgjidhje aksionale për botën e përfshirë nga rrëmuja", njoftohet në faqen e internetit të forumit.
Në mesin e pjesëmarrësve do të jenë Rania Al-Abdullah, mbretëresha e Jordanisë, e cila do të mbajë fjalimin kryesor mbi "Nxitjen e ndërgjegjes globale", si dhe Ivo Josipoviç, ish-president i Kroacisë; Franco Frattini, ish-ministër i jashtëm italian, Hamid Karzai, ish-president i Afganistanit, Staffan de Mistura, i dërguari special i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së në Siri, Ali Asghar Soltanieh, ish-përfaqësues i përhershëm i Iranit në Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike dhe Borge Brende, president i Forumit Ekonomik Botëror.
Në ditën e parë, do të ketë katër seanca me temën "Një botë brenda apo jashtë rendit?: Njëqind vjet që nga Lufta e Parë Botërore", "BE dhe pakënaqësitë e saj: A është fundi i projektit evropian?", Shkatërrimi i rendit të vendosur: Ngritja e Jugut Global", dhe "Lidershipi i grave në botën e konfliktit".
"Bashkëpunimi ndërkombëtar kundër terrorizmit", "Në ndjekje të drejtësisë në një botë të fragmentuar", dhe "Si mund të transformojnë mediat sociale jetët në mënyrë pozitive?" janë temat e sesioneve për ditën e dytë të ngjarjes.
Forumi do të përfundojë të enjten me një fjalim kryesor nga Presidenti Recep Tayyip Erdoğan.
Paralelisht me forumin, TRT World gjithashtu do të organizojë ceremoninë e ndarjes së çmimeve "World Citizen Awards", ku të mërkurën do të ndahen mirënjohje për kontributet e veçanta individuale për njerëzimin.