Forumi i parë për Mjedisin i organizuar nga Anadolu Agency (AA) ka filluar në Istanbul për të rritur ndërgjegjësimin për krizën klimatike dhe çështjet mjedisore.
Duke iu adresuar forumit me temën kryesore "Riformësimi i narrativës së krizave mjedisore dhe klimatike", drejtori i përgjithshëm dhe kreu i AA-së, Serdar Karagöz, tha se me iniciativë të AA-së janë mbledhur për të ndarë nevojën e luftës kundër krizës mjedisore dhe klimatike nga këndvështrimi mediatik.
"Ne përballemi me një armik kolektiv që na prek të gjithëve pavarësisht dallimit tonë, krizat mjedisore dhe klimatike. Nuk është një problem që duket se do të ndikojë në të ardhmen tonë, në të vërtetë ajo po ndikon thellë në kohën tonë. Ne si gazetarë nuk mund të qëndrojmë larg kësaj çështje. Riformësimi i narrativës së krizave mjedisore dhe klimatike nuk është një opsion për ne, është përgjegjësia jonë. Pra, si ta riformojmë këtë narrativë", tha Karagöz.
- AA me platformë mediatike ‘Linja e Gjelbër’ kushtuar çështjes së mjedisit dhe klimës
Duke theksuar se AA është marrë me këto çështje për një kohë të gjatë, Karagöz tha se pas diskutimeve të gjata, së fundmi themeluan një nga platformat mediatike më gjithëpërfshirëse, respektivisht platformën ‘Linja e Gjelbër’, që rrëfen çështjet e mjedisit dhe klimës.
"Qëllimi ynë kryesor është të mbetemi të përgjegjshëm ndaj botës, ndërkohë që natyra dhe mjedisi po shkatërrohen. Platforma ‘Linja e Gjelbër’ raporton mbi ndryshimet klimatike, ekonominë e gjelbër, zero mbeturinat dhe historitë mjedisore nga të gjitha aspektet", theksoi Karagöz.
Duke theksuar se gazetaria klimatike duhet të ketë një rëndësi më të madhe për të gjitha mediat në të gjithë botën, Karagöz theksoi se si gazetarë jo vetëm informojmë, por edhe ndryshojmë publikun duke zbuluar fatkeqësitë e shkaktuara nga njeriu që qëndron pas kësaj krize.
"Nga zjarret e pyjeve në Evropë deri te zhdukja e pyjeve tropikale në Amazon, ne i tregojmë botës tragjedinë e katastrofës klimatike me platformën ‘Linja e Gjelbër’. Megjithatë, ne nuk tregojmë vetëm tragjedinë, por edhe ndajmë historitë që na japin shpresë", u shpreh ai.
- Forumi i AA-së për Mjedisin, "pikë qendrore për të diskutuar fatkeqësitë e shkaktuara nga njeriu"
Kreu i AA-së theksoi Forumi i AA-së për Mjedisin do të bëhet "një pikë qendrore e shkëlqyer për të diskutuar fatkeqësitë e shkaktuara nga njeriu dhe shpresën pas kësaj krize nga perspektiva e medias".
"Gazetarët, ekspertët dhe vendimmarrësit, të mbledhur sot në Forumin e Mjedisit, do të debatojnë mbi një narrativë të re mbi mjedisin dhe ndryshimet klimatike. Profilet e pjesëmarrësve të forumit na kujtojnë se këto çështje na shqetësojnë të gjithëve. Nga Zimbabve në Spanjë, nga Somalia në Shqipëri, nga Norvegjia në Itali, ne u bashkuam të gjithë me të njëjtin shqetësim", tha Karagöz.
Ai shprehu shpresë që Forumi i Mjedisit të jetë një moment historik në hapat e ndërmarra kundër krizës klimatike, si dhe të kontribuojë për "një botë më të jetueshme".
"Dëshiroj t’ju kujtoj sërish se si AA ne nuk e vëmë në dyshim nevojën për veprim. Ne frymëzojmë, veprojmë, ndryshojmë. Ne themi ‘një fjalë për një botë më të mirë’ ", theksoi Karagöz.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, iu drejtua hapjes së forumit përmes një video-mesazhi.
Në forum fjalim do të mbajnë edhe përfaqësuesja e përhershme e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Türkiye, Louisa Vinton dhe zv.drejtori ekzekutiv i Konventës Kornizë të OKB-së për Ndryshimet Klimatike UNFCCC, Ovais Sarmad, ndërsa në hapje do të marrë pjesë me video-mesazh edhe shefi i Drejtorisë së Komunikimeve pranë Presidencës së Türkiyes, Fahrettin Altun.
Sesioni i parë i forumit ku do të marrin pjesë si folës, përfaqësues të organizatave joqeveritare vendase e të huaja dhe të organizatave ndërkombëtare, politikanë, akademikë dhe përfaqësues të mediave, do të zhvillohet me temën "Përgjegjësia e medias në ndryshimet klimatike", moderator i të cilit do të jetë zv.drejtori i përgjithshëm dhe kryeredaktori i AA-së, Yusuf Özhan.
Forumi do të vazhdojë me sesione si "Energji e pastër për zhvillim të qëndrueshëm", "Qasja e medias drejt fatkeqësive natyrore", "Kriza klimatike dhe ndarja e përgjegjësisë", ndërsa do të shqyrtohen çështje të tilla si ndryshimi i klimës, energjia, këndvështrimi i medias për ndryshimet klimatike dhe edukimi mjedisor.
Në mesin e folësve të forumit janë edhe zv/presidenti i Türkiyes, Fuat Oktay dhe ministri i Mjedisit, Urbanizimit dhe Ndryshimeve Klimatike, Murat Kurum.
Fjalën përmbyllëse të Forumit të AA-së për Mjedisin pritet ta mbajë Emine Erdoğan, bashkëshortja e presidentit Recep Tayyip Erdoğan, respektivisht pionierja e projektit "Zero mbetje".
Forumi i AA-së për Mjedisin do të mund të ndiqet drejtpërdrejt duke u regjistruar nga uebfaqja "https://environment.aa.com.tr".