Adam Abu-bashal
26 Prill 2021•Përditësim: 28 Prill 2021
Vitin e kaluar 370 persona humbën jetën nga malaria në shtetin Borno, në verilindje të Nigerisë, ku vepron organizata terroriste Boko Haram, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me rastin e Ditës Botërore të Malaries, zëvendës komisioneri i Shëndetësisë në shtetin Borno, Isa Marte deklaroi se në 4 vitet e fundit në vend janë rritur rastet e malaries.
Duke theksuar se 359.366 raste të malaries u zbuluan në Borno në vitin 2020, Marte tha se 370 persona humbën jetën nga epidemia në fjalë.
Marte raportoi se si pjesë e luftës kundër malaries në provincë, këtë vit qeveria në bashkëpunim me Programin Kombëtar për Parandalimin e Malaries (NMEP), shpërndau rrjeta kundër mushkonjave në 70 për qind të familjeve në rajon.
Në çdo dy minuta vdes një fëmijë
Organizata Botërore e Shëndetësisë njoftoi se më shumë se 1.7 milionë doza të vaksinës u aplikuan në dy vitet e fundit si pjesë e programit të vaksinimit në Gana, Kenia dhe në Malavi.
Vaksina e zhvilluar për malarien, e cila vret qindra mijëra njerëz çdo vit në shumë pjesë të botës u zbatua për herë të parë në Malavi në prill 2019.
Malaria, e cila është një nga sëmundjet kryesore vdekjeprurëse dhe që shkakton vdekjen e një fëmije çdo dy minuta, është më e përhapur në Afrikë.
Malaria, e cila transmetohet nga pickimet e mushkonjave parazitare dhe pas një periudhe mesatare inkubacioni prej 7 ditësh aktivizohet ku ka simptoma të ngjashme me gripin si ethe, djersitje, dhimbje koke, të përziera, të vjella, dhimbje muskulore dhe dobësi.