Hacer Başer
06 Qershor 2017•Përditësim: 06 Qershor 2017
JERUSALEM (AA) - Kryeministri i Izraelit Benyamin Netanyahu, përsëriti se janë të vendosur që të vazhdojnë kontrollin e sigurisë në gjithë Bregun Perëndimor edhe në qoftë se arrihet zgjidhje politike, raporton Anadolu Agency (AA).
Në deklaratën e bërë nga zyra e kryeministrit, Netanyahu në fjalimin e tij në Jerusalemin perëndimor me rastin e 50 vjetorit të luftës së 1967, tha se "Pavarësisht nëse arrihet ose jo zgjidhje politike, Izraeli do të vazhdojë kontrollin e sigurisë në të gjitha tokat në perëndim të lumit Jordan (Bregu Perëndimor)".
Ai gjithashtu tha se do të vazhdojnë të insistojnë që palestinezët të pranojnë shtetin e Izraelit. "Atdheu nacional i popullit hebre. Kjo është baza e ardhjes së paqes. Mohimi, përbën një pengesë për realizimin e paqes", tha Netanyahu.
Kryeministri izraelit më tej shtoi se janë të kënaqur nga mbështetja e aletëve të tyre në krye me SHBA-të. Ai pohoi se Izraeli duhet të jetë i gatshëm që të mund t'u përgjigjet atyre që duan ta dëmtojnë vendin e tij në kohë të krizës.
Netanyahu potencoi se që nga themelimi i Izraelit është zvogëluar numri i vendeve që janë armiq me Izraelin. "Është zvogëluar numri i vendeve që ishin kundër nesh në të gjitha luftërat që kemi bërë. Në vitin 1948 kundër nesh luftonin 5 shtete, në 1967 tre, në 1973 dy dhe në vitin 1982 kundër nesh luftonte vetëm një vend".
Netanyahu në deklaratën e tij të bërë javën e kaluar në radion e ushtrisë izraelite, ka thënë se edhe nëse arrihet marrëveshje paqësore me palën palestineze Izraeli do të vazhdojë kontrollin ushtarak në Bregun Perëndimor.
Izraeli pas "Luftës gjashtë ditore" në vitin 1967 pushtoi Bregun Perëndimor, Jerusalemin Lindor, Gazën, Kodrat e Golanit dhe Gadishullin e Sinait. Data 5 qershor, kur kishte filluar lufta, çdo vit nga palestinezët përmendet si "Nekse" (Dita e humbjes së tokës). Palestinezët, Nekse-n e shohin si vazhdim i "Nekbe" (Fatkeqësia e Madhe) që përdoret në kuptim të shpalljes së pavarësisë së Izraelit në vitin 1948.