Ekip
18 Shkurt 2021•Përditësim: 19 Shkurt 2021
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, do të zhvillojë një takim të posaçëm me zyrtarë të lartë të sigurisë për të diskutuar kthimin e mundshëm të SHBA-së në marrëveshjen bërthamore me Iranin, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas raporteve mediale, takimi do të ndiqet nga ministri i Mbrojtjes, Benny Gantz dhe ministri i Jashtëm, Gabi Ashkenazi.
Të mërkurën, presidenti i SHBA-së Joe Biden dhe Netanyahu zhvilluan bisedën e tyre të parë telefonike për rreth një orë. Të dy udhëheqësit diskutuan rëndësinë e vazhdimit të konsultimeve të ngushta mbi çështjet e sigurisë në Lindjen e Mesme, përfshirë Iranin, sipas një njoftimi nga Shtëpia e Bardhë.
Një deklaratë e zyrës së kryeministrit izraelit theksoi se të dy "kanë diskutuar avancimin e ardhshëm të marrëveshjeve të paqes, kërcënimin iranian dhe sfidat rajonale dhe ranë dakord të vazhdojnë dialogun e tyre".
Netanyahu kundërshtoi fuqimisht kthimin e mundshëm të SHBA-së në marrëveshjen me Iranin dhe e mirëpriti hapin e administratës së ish-presidentit amerikan Donald Trump për të dalë nga marrëveshja në vitin 2018.
Në vitin 2015, SHBA, Britania e Madhe, Franca, Kina, Rusia dhe Gjermania nënshkruan një marrëveshje afatgjate me Iranin mbi programin e tij bërthamor të njohur si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA) në të cilin Irani u dakordua të kufizonte aktivitetet e tij të ndjeshme bërthamore.