Şerife Çetin
28 Nëntor 2018•Përditësim: 28 Nëntor 2018
BRUKSEL (AA) - NATO në Estoni po zhvillon stërvitjen më gjithëpërfshirëse për mbrojtjen kibernetike e cila njihet si "Stërvitja e Koalicionit Kibernetik", transmeton Anadolu Agency (AA).
Stërvitja zhvillohet në qytetin Tartu të Estonisë me pjesëmarrjen e aleatëve dhe partnerëve të NATO-s si dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian (BE).
Qëllimi kryesor i stërvitjes ku ndodhen rreth 700 pjesëmarrës është rritja e aftësisë së NATO-s për të mbrojtur rrjetin e saj dhe rrjetet kombëtare të anëtarëve të saj kundër kërcënimeve të mundshme.
Në "Stërvitjen e 11-të të Koalicionit Kibernetik", i cili synon të zhvillojë bashkëpunimin dhe bashkërendimin ndërmjet NATO-s dhe aleatëve, do të zhvillohen operacione ushtarake në fushën kibernetike.
Sipas një deklarate me shkrim nga NATO në lidhje me stërvitjen thuhet se "Kërcënimet kibernetike për aleancën tonë janë bërë më të shpeshta dhe më shkatërruese. Një sulm kibernetik kundrejt një aleati na prek të gjithëve, dhe për këtë arsye, zhvillimi i mbrojtjes kibernetike për NATO-n është përparësi kryesore".
NATO në Samitin e Varshavës të zhvilluar në vitin 2016, krahas fushave si tokë, ajër dhe det, vendosi kibernetikën si fushë të re operacionale.