Ekip
02 Shtator 2020•Përditësim: 02 Shtator 2020
Një varrezë e re masive është gjetur në qytetin jugperëndimor libian Tarhuna që u çlirua kohët e fundit nga milicia e komandantit renegat Khalifa Haftar, bëri të ditur sot qeveria libiane, raporton Anadolu Agency (AA).
"Varreza përmban eshtrat e një numri të paidentifikuar të trupave", tha për AA Abdul Aziz Al-Jaafari, një zëdhënës i Autoritetit të Përgjithshëm për Kërkimin dhe Identifikimin e Personave të Zhdukur.
Ai tha se deri më tani dy trupa janë gërmuar nga varreza.
Qeveria libiane ka zbuluar disa varre masive në Tripoli dhe Tarhuna pas humbjes së Haftarit në ofensivën e tij të fundit në Tripoli.
Autoritetet libiane theksuan se milicia e Haftarit dhe mercenarët aleatë kanë kryer disa krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në periudhën midis prillit të vitit 2019 dhe qershorit të vitit 2020.
Më 16 qershor, qeveria libiane gjeti 226 trupa të pajetë në varre masive në Tarhuna dhe në jug të Tripolit.