Enes Canlı
07 Maj 2019•Përditësim: 07 Maj 2019
Avionët luftarakë të gjeneralit Khalifa Haftar i bazuar në lindje të Libisë, mbrëmë ka sulmuar objektivat e Qeverisë së Pajtimit Kombëtar (GNA) në jug të kryeqytetit Tripoli, transmeton Anadolu Agency (AA).
Burimet e sigurisë të GNA-së thanë se avionët e Haftarit kanë ndërmarrë tri sulme ajrore pas iftarit kundër forcave të tyre të vendosura në zonat Ain Zara dhe Vadi al-Rabi në Jug të Tripolit, duke mos dhënë detaje mbi të vdekur apo të plagosur si pasojë e sulmeve.
Dje në orët e parë të muajit të Ramazanit mbizotëroi një qetësi në Tripoli.
Megjithatë, përkundër thirrjeve të Kombeve të Bashkuara (OKB) për ndalje të luftmeve në Libi në javën e parë të Ramazanit, Hafter dha urdhër për sulm.
Në një mesazh dërguar njësive të tij, Hafter kërkoi "t'i jepet mësim solid" forcave të GNA-së.
Ndryshe, më 4 prill, Khalifa Haftar, komandant ushtarak në Libinë lindore, dha urdhrin për nisjen e një ofensive ushtarake për të pushtuar kryeqytetin Tripoli, ku gjendet selia e Qeverisë së Pajtimit Kombëtar të mbështetur nga OKB-ja.
Libia ka mbetur e përfshirë nga trazirat që nga viti 2011, kur një kryengritje e përgjakshme e mbështetur nga NATO-ja çoi në rrëzimin dhe vdekjen e presidentit Muamar Gadafi pas katër dekadash në pushtet.
Që atëherë, ndarjet politike në vend kanë shkaktuar ndarjen e pushtetit, një në qytetin lindor të Al-Bayda, me të cilën Haftar është i lidhur, dhe qeveria e mbështetur nga OKB-ja në Tripoli.