Bota

Në Bruksel fillon Samiti i Liderëve të BE-së

Një nga pikat kryesore të rendit të ditës në samit, në të cilin do të marrë pjesë edhe Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, do të jetë se si BE-ja mund të vazhdojë mbështetjen e saj për Ukrainën

Şerife Çetin, Ata Ufuk Şeker  | 23.10.2025 - Përdıtësım : 23.10.2025
Në Bruksel fillon Samiti i Liderëve të BE-së

Bruksel

Krerët e shteteve dhe qeverive të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) u takuan në kryeqytetin e Belgjikës, Bruksel, për të diskutuar mbështetjen për Ukrainën, zhvillimin e aftësive mbrojtëse dhe rolin e mundshëm që ata mund të luajnë në Gaza, raporton Anadolu.

Në Bruksel filloi Samiti i Liderëve të BE-së, i cili do të kryesohet nga Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa.

Një nga pikat kryesore të rendit të ditës në samit, në të cilin do të marrë pjesë edhe Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, do të jetë se si BE-ja mund të vazhdojë mbështetjen e saj për Ukrainën.

Në samit, udhëheqësit pritet të vlerësojnë planin për "kredinë e kompensimit" që do t'i ofrohet Ukrainës nga asetet e ngrira të Rusisë.

Në anën tjetër, në sektorin e mbrojtjes udhëheqësit pritet të diskutojnë hapat që duhen ndërmarrë brenda fushëveprimit të "Objektivit të Gatishmërisë së Mbrojtjes Evropiane 2030". Në këtë kuadër sigurimi i krahut lindor me "mur dronësh" është ndër çështjet e rëndësishme që do të diskutohen.

Edhe pse nuk është në axhendën kryesore të samitit, zhvillimet në Gaza dhe roli i mundshëm i BE-së pritet të jenë gjithashtu ndër temat që liderët do të diskutojnë.

Mundësia që paketa e sanksioneve e propozuar nga Komisioni i BE-së kundër Izraelit më 10 shtator të mos miratohet pas armëpushimit në Gaza ka shkaktuar kritika.

Udhëheqësit pritet gjithashtu të diskutojnë edhe fuqinë konkuruese të BE-së. Në këtë kontekst, ata pritet të përqendrohen në thjeshtimin e procedurave burokratike dhe përshpejtimin e transformimit të gjelbër dhe digjital.

Çmimet në rritje të shpejtë të banesave dhe objektivi i klimës i bllokut për vitin 2040 janë gjithashtu ndër çështjet që udhëheqësit do të diskutojnë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın